Unaza e Re, Basha: Rama-Veliaj ndryshuan planin për Edmond Begon, nesër protestë para Parlamentit

19 Dhjetor 2018, 18:26

TIRANË - Në ditën e 47-të të protestës së banorëve të Unazës së Re, kryetari i PD, Lulzim Basha ka përsëritur akuzat se Rama dhe Veliaj ndryshuan planin për urbanizimin e kësaj zone, për t'i dhënë Edmond Begos 30 000 m2 sipërfaqe me qëllim ndërtimin e komplekseve të banimit. Basha ftoi qytetarët që të protestojnë nesër përpara Parlamentit. Sipas tij, ndryshimi i planit urbanistik, duke devijuar lumin e Lanës, është një aferë 60 milionë euro me protagonistë, shtoi kreu demokrat, një personazh të botës së krimit, të quajtur Edmond Bego dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.  

"Sot ju e keni parë se si plani urbanistik i Tiranës është ndryshuar nga Veliaj dhe është miratuar nga Edi Rama. Ndryshimi i këtij plani konsiston në ndryshimin rrjedhjes së Lumit të Lanës. Në fakt është një bandë që nuk ka asnjë qëllim për vendin përveç grabitjes. Kjo është arsyeja pse këta njerëz janë në protestë. Shqipërinë e konsiderojnë thejsht dhe vetëm si një koloni ku grabisin gjithçka dhe deri në palcë qytetarët. Nuk është vetëm një çështje tarifash. Është çështja e një sistemi të ngritur nga Edi Rama ku politikanë, kriminelë e pedagogët të korruptuar kanë në dorë fatin e 140 mijë të rinjve e qindra mijëra të tjerëve që do vijnë. Ata nuk mund të jenë peng i kësaj klike të korruptuar. 60 mln euro është afera Veliaj-Bego.

E keni parë deklaratën e Lei Fenit? Planin urbanistik kush e ndryshoi? 200 familje të nxirren në rrugë që të pastroheshin 60 mln euro të drogës e krimit. Shteti ka rënë, Gjykata Kushtetuese ka rënë, Prokuroria ka rënë. E vetmja rrugë është ajo e përballjes. Ju bëj thirrje qytetarëve të bashkohen nesër me studentët masivisht para Kuvendit. Të nisim nga nesër rezistencën", tha Basha.

    No videos found.