Unaza e Re/ Bashkia e Tiranës vijon shembjen e objekteve pa leje në zonën e ‘Astirit’

14 Dhjetor 2018, 18:31

TIRANE-Pavarësisht protestës së një grupi banorësh të Unazës së Re, që preken nga projekti dhe që i kanë banesat pa leje, puna vijon në zonën e Astirit. Bashkia njofton se puna për prishjen ndërtimeve pa leje vijon për t'i hapur rrugë kantierit për realizimin e projektit.

Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë se Tiranës sot ka prishur disa objekte të tjera, të cilat janë ndërtuar në gjurmën e Unazës së Madhe. Bëhet fjalë kryesisht për objekte që shërbenin për funksione biznesi të ndërtuara pa leje në vijën e parë, anës rrugës dhe që preken nga projekti i zgjerimit të unazës.

Sipas njoftimit, specialistët e IMT dhe të ndërmarrjeve të tjera bashkiake kanë gjetur bashkëpunimin e banorëve që posedonin këto objekte, të cilët kanë pranuar që t'i boshatisin ato vullnetarisht për t'i krijuar mundësi mjeteve të rënda që të vazhdojnë me procesin e prishjeve. Krahas këtij procesi, Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe me largimin e mbetjeve inerte.