Një aferë korruptive e konsideroi PD, Projektin e ri të “Unazës së Re”, të nisur nga qëveria në kuadër të zgjerimit dhe rehabilitimit të segmentit të ri të Unazës së Madhe në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa reagoi në lidhje me prishjen e disa ndërtesave në kuadër të projektit ku deklaroi se “Unaza e Re” është një skandal korruptiv, pas së cilës fshihet një aferë që i jep 18 milionë euro një kompanie, me pronarë të panjohur.
Sipas saj, tenderi në total 40 milionë euro ka fitues të paracaktuar, që është caktuar përmes një gare fiktive.
"Skandali i aferës tek Unaza e Re thellohet edhe më shumë nga shpallja fituese e bashkimit të një kompanie guaskë, DH Albania, pronarët e së cilës janë të panjohur, me një kompani shqiptare, BIba X, që vazhdimisht ka qenë nën sekuestro për mos shlyerje borxhesh. Ky konsorcium ka fituar pjesën e luanit në tender, 18 milionë euro. Janë 40 milionë euro të shpërndarë praktikisht pa garë tek tre kompani, të cilat janë shpallur fituese, sepse pjesëmarrësja e dytë në tender, nuk ka dhënë asnjë ofertë, tha Ina Zhupa.
Deklarata e plotë:
Prej disa ditësh, qindra familje tek Unaza e Re, po protestojnë për braktisjen totale nga qeveria, e cila po u shkatërron shtëpitë pa u dhënë asnjë dëmshpërblim për llogari të një afere të madhe korruptive dhe klienteliste për rindërtimin e 3 segmenteve të Unazës së Re të Tiranës.
Janë 40 milionë euro të shpërndarë praktikisht pa garë tek tre kompani, të cilat janë shpallur fituese, sepse pjesëmarrësja e dytë në tender, nuk ka dhënë asnjë ofertë. Kompania “Vëllezërit Hysa” është përdorur për të mashtruar ligjin dhe për të nxjerrë fituese kompanitë e paracaktuara nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Skandali i aferës tek Unaza e Re thellohet edhe më shumë nga shpallja fituese e bashkimit të një kompanie guaskë, DH Albania, pronarët e së cilës janë të panjohur, me një kompani shqiptare, BIba X, që vazhdimisht ka qenë nën sekuestro për mos shlyerje borxhesh. Ky konsorcium ka fituar pjesën e luanit në tender, !8 milionë euro.
Faktet se pas rindërtimit të Unazës së re fshihet një afere korruptive janë disa:
1. Kompania Dh Albania është krijuar në korrik të këtij viti, një muaj e gjysëm para hapjes së tenderit
2. Kompania mëmë e saj është kompani e regjistruar në parajsë fiskale, me pronarë të panjohur.
3. Kompania biba X ka nuk ka përvojë në ndërtim rrugësh, aktivitet të cilin e ka shtuar pak para së të shpallej fitues i tenderit
4. Kompania Biba X, sipas të dhënave të medias, ka qenë nën sekuetsro edhe gjatë periudhës kur ka marrë pjesë në tenderin e Unazës së Re, në shkelje flagrante të ligjit të Prokurimeve Publike.
Edi Rama dhe Rrion Veliaj duhet t’u thonë sot shqiptarëve kush është pronari i vërtetë që fshihet pas kompanisë guaskë, duke grabitur me maskën e parajsës fiskale, 18 milionë euro të taksave të shqiptarëve.
Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të dëmshpërblejnë pa vonesë të gjithë banorët, të cilëve u kanë marrë paratë dhe votat për të legalizuar shtëpitë, ndërsa tani i trajtojnë si qytetarë të paligjshëm.
Partia Demokratike gjen rastin të sigurojë shqiptarët se me “Ligjin Antimafia” askush nuk do të gëzojë pasurinë e grabitur, duke u fshehur në guaskën e parajsave fiskale.
Ina Zhupa, Zëdhënëse e Partisë Demokratike