'Unaza e Re', PD vijon akuzat: Projekti është i paligjshëm, çdo zyrtar i përfshirë duhet të dalë para ligjit

29 Nëntor 2018, 16:18

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar këtë të enjte në një deklaratë për shtyp se projekti i “Unazës së Re” është korruptiv dhe i paligjshëm. Bardhi u shpreh se niveli i korrupsionit dhe paligjshmëria i këtij projekti është aq e madhe, saqë, sipas tij, shumë zyrtarë të lartë duhet të ishin sot në burg duke u hetuar për shpërdorim detyre.

Deputeti demokrat tha se me miratimin e kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, qeveri ka anashkaluar procedurat kyçe të realizimit të këtij projekti madhor publik dhe kryesisht studimin e fizibilitetit.

Bardhi u shpreh se në nxitim për të grabitur 40 milionë euro, qeveria nuk ka zbatuar VKM nr 628 për të bërë analizën e kostos dhe përfitimeve, ku përfshihet si detyrim ligjor edhe vlera e shpronësimeve. E kësisoj, Bardhi deklaroi se askush nuk e di sesa kushton realisht projekti i “Unazës së Re”.

40 milionë euro është vetëm vlera që Edi Rama ka vendosur të ndajë me 3 kompani të paracaktuara për ndërtimin e 2.2 kilometrave rrugë.  Ligji përcakton se për të shkuar deri tek tenderimi i një vepre si kjo e “Unazës së Re” duhet të realizohen disa vlerësime. 

Projekti 40 milionë euro është tenderuar pa studim fizibililiteti, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa analizë kostoje dhe përfitimi dhe pa vlerësim shpronësimesh.

Gazment Bardhi, Deputet i Partisë Demokratike

Ai vijoi më tej duke thënë se, nën presionin e protestave të qytetarëve dhe opozitës, qeveria ka pranuar se projektimi i veprës tek "Unaza e Re" është sponsorizim nga një kompani private, dhe, sipas Bardhit, ky është një tjetër veprim i paligjshëm.

Ligji i sponsorizimeve, që në nenin e parë të tij, ndalon sponsorizimet për institucionet shtetërore në fushën e ndërtimit të rrugëve. Por, përsa kohë, projektet tenderohen për të vjedhur, shkelja e ligjit është një normalitet për qeverinë e Edi Ramës.  Siç paracaktoi në tenderin korruptiv kompanitë me të cilat do të ndajë 40 milionë eurot tek Unaza e Re, duke pranuar një dhuratë, një sponsorizim të paligjshëm, Edi Rama ka paracaktuar edhe supervizorin e punimeve, që pritet të jetë vetë kompania dhuruese e projektit të paligjshëm 40 milionë euro. 

Gazment Bardhi, Deputet i Partisë Demokratike

Në fund, Bardhi i bëri thirrje prokurorisë të dëgjojë zërin e banorëve dhe të marrë menjëherë në shqyrtim kallëzimin e tyre penal. 

    No videos found.