Ura e Darzezës burim aksidentesh/ Banorët: Të zgjerohet, gjatë verës qarkullimi është i rënduar

21 Gusht 2020, 19:56

FIER- Ura e Darzezës bëhet për të disatën herë burim aksidenti për qytetarët që kalojnë në të, pasi kushtet infrastrukturore të kësaj vepre janë jashtë çdo standardi sigurie. Pikërisht në këtë urë, mbrëmjen e së mërkurës një çift të moshuarish të cilët po lëviznin me motor kanë pësuar aksident. Fatmirësisht bashkëshortët janë jashtë rrezikut për jetën.

Duke qenë se është tejet e ngushtë, banorët e zonës kërkojnë që rruga të zgjerohet dhe bëhet me dy kalime, pasi qarkullimi i mjeteve, sidomos në stinën e verës është shumë i rënduar, për shkak të shtimit të numrit të qytetarëve dhe turistëve që i drejtohen zonave turistike.

“Është shumë problematike, të ishte bërë, është shumë e vonuar ka shumë ngarkesë trafiku. Në darkë kush makinë vjen nga andej duhet të presi 4-5 orë për të kaluar këtej, as polic nuk ka, është jashtë standardeve komplet, dërrasat shqepen çohen gomat, ka probleme shumë, është jashtë funksioni me një fjalë, është e rrezikshme. Duhet të zgjerohet të bëhet dy kalimshe ajo është më e mira për popullin, për të gjithë. Përbën shqetësim jo vetëm për neve që jemi banorë por për të gjithë. Ne që e kemi te përditshme këtu është më ë keqja”, thanë qytetarët.

Ura e Darzezës është ndërtuar provizorisht me material metalik nga Forcat e armatosura në vitin 2017. Kjo vepër u ngrit mbi atë ekzistuese që u shemb si rezultat i përmbytjeve pas daljes nga shtrati e lumit Vjosë. Por pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre vite dhe problemeve teknike të saj, ende ura e re nuk është ndërtuar e ndërsa shumë prej banorëve përballen me pasoja të rënda si pasojë e aksidenteve që regjistrohen në të.