Urimi i Veliajt për Bajram: Është koha të ulim kokën dhe të marrim mësim nga feja

4 Qershor 2019, 15:06

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për ditën e Fitër Bajramit. I shoqëruar nga kandidatë për këshilltarë në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj zhvilloi një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, nga ku edhe i përcolli urimet e tij kreut të këtij komuniteti, Bujar Spahiu. Nuk kanë munguar edhe mesazhe për politikën.

“Te kjo derë keni parë, apo tek të gjitha dyert e komuniteteve fetare keni parë politikanë që predikojnë pafundësisht për harmoninë fetare, vëllazëri. Në fakt unë lart lashë Monsinjorin dhe kryetarin e Komunitetit Mysliman. Komunitetet fetare kanë pasur vëllazëri prej 100 vitesh ne nuk kemi pasur asnjë problem. Njerëzit që janë më sherrxhinj, më të përçarë dhe më helmaxhinj  në shoqërinë tonë iu japin mend komuniteteve që kanë një harmoni perfekte dhe pasi japin mend këtu kalojnë rrugën atje me molotov me zjarr dhe me tulla kokës,vëllezërve të tjerë shqiptarë që janë me uniformë të policisë. Kështu që sot është një ditë e mirë për besimtarët, por një ditë e trishtë për politikanët ku besoj duhet të reflektojmë”, theksoi Veliaj.

Ai shtoi se  është koha për të nxjerrë mësime nga komunitetet fetare, duke marrë mësime nga ata që vëllazërinë e kanë kthyer në mënyrë jetese dhe jo nga ata që thonë fjalët e duhura, por pasi kalojnë trotuarin bëjnë veprimet e gabuara.