Vakanca në Gjykatën e Lartë, Llagami: Aplikoni, moment historik! Medi Bici do të mbrojë gjyqtarët

26 Shtator 2019, 15:06

TIRANE-Në mbledhjen e sotme Këshilli i Lartë Gjyqësor u ka bërë thirrje gjyqtarëve që të kandidojnë për vendin e lirë në Gjykatën e Lartë pas shkarkimit të kryetarit Xhezair Zaganjori nga Kolegji i Posaçëm i Apelit të Vettingut, raporton gazetari i Report Tv, Arsen Rusta. 

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami iu drejtua të gjithë gjyqtarëve që plotësojnë kushtet që të aplikojnë për vendin vakant në gjykatën e Lartë. "Ky është një moment historik, ju ftoj bëj thirrje që të aplikoni" tha ajo. Llagami bëri thirrjen pasi edhe pse kanë kaluar 10 ditë rezulton se ende nuk ka asnjë aplikim.

Ndërsa prej javësh në KLGJ është duke u kryer procesi i kontrollit për 8-të kandidatët jo gjyqtarë të cilët kanë aplikuar për 3 vënde vakante të shpallura më herët. Ndërkohë që një tjetër vendim që KLGJ-ja mori sot ishte caktimi i Medi Bicit kryetar të Komisionit të Mbrojtjes së Gjyqtarëve me mandat 2-vjeçar. Bici ka një karrierë prej dy dekadash në sistemin e drejtësisë ndërsa nga gjykata e lartë ai u përzgjodh si anëtar KLGJ-je.