Vakancat në KQZ, Vasili: Nuk komunikojmë me Parlamentin

24 Tetor 2018, 15:25

Partia Demokratike nuk e ka deklaruar ende qëndrimin e saj zyrtar, ndërsa aleatja e saj, LSI e ka marrë vendimin për të mos çuar asnjë emër në Kuvend për plotësimin e vakancave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha se opozita nuk do të komunikojë me Parlamentin, as për këtë çështje, ndërsa një arsye të dytë ai përmendi bllokimin e Reformës Zgjedhore. 

Nuk kemi asnjë raport me Parlamentin për këtë çështje, sepse kjo kërkesë ka lindur nga Parlamenti. Dhe pa vendosur Parlamentin në ligjshmërinë e tij, nuk do ketë asnjë komunikim me Parlamentin për asnjë çështje përfshirë dhe çështjen në fjalë. Duke pasur reformën zgjedhore të bllokuar çmund të flasim ne për KQZ. Kemi komision të bllokuar. 

Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të LSI

Vasili bëri të ditur se nesër grupi parlamentar i LSI nuk do të jetë në Parlament për të miratuar ligjin e lojërave të fatit, ndërsa shqetësimin e zhvendosi tek deklarata e kryeministrit Rama i cili tha se, ky biznes qarkullon 700 milionë euro, në një kohë që organet tatimore dekarlojnë vetëm 120 milionë euro.

"Kryeministri deklaroi 700 milionë. Të dhënat zyrtare janë 140 milion. Kryeministri ka zbuluar që është 5-fishi. Ka vite që e di këtë gjë. Dhe çdo vit FISK-ut shqiptar i vidhen 200 milion euro nga lojërat e fatit, sipas kryeministrit. Pra 1 miliard euro. Evazioni fiskal më i madh i bie që të jetë në historinë e këtij vendi, që kur ky vend ekziston në pluralizëm, se këta mund të çmenden dhe na kërkojnë dhe evazionin fiskal të realizuar para viteve ’90, ku nuk kishim biznes privat fare. Ku ndodhet? Kjo është një çështje e madhe, shumë e rëndë, që nga deklarimet që unë bëj sot, të cilat janë të bazuara vetëm mbi shifrat e organeve tatimore dhe mbi deklarimet e kryeministrit, Prokuroria shqiptare duhet të fillonte pas pak minutash të kësaj konference shtypi, një çështje shumë të madhe penale kryesisht. Një procedurë që e ka shumë të lehtë për ta bërë”, tha Vasili.

Ndërkohë, Vasili hodhi poshtë akuzën e kryeministrit Edi Rama se ish-aleatja e tij, LSI nuk i jepte votat në 2016 për mbylljen e lojërave të fatit.

    No videos found.