Vaksina COVID, zv. Ministri i Shëndetësisë: Brenda 30 marsit 2021 vjen në Shqipëri!

23 Dhjetor 2020, 19:41

Në një kohë që Shqipëria pret vaksinën e koronavirusit që të mbërrijë në vend, zëvendës Ministri i Shëndetësisë, Albert Nikolla shprehet se vaksinimi do të fillojë brenda 30 marsit.

Në një intervistë për Report Tv ai u shpreh se Shqipëria po shkon paralel me vendet e tjera përsa i përket sigurimit të vaksinës nëpërmjet kontaktet me shtetet që ka marrëdhënie më të mira.

Ai shprehet se Shqipëria nuk ka kontakt të drejtëpërdrejtë me kompanitë e COVAX.

"Portofoli i COVAX përmban 9 kompani, 4 nga SHBA, 1 gjermane, 1 britanike, 1 austrialiane dhe 1 kineze. Është një aktivitet i rëndësishëm dhe ka qasje nga shumë kompani. Në tremujorin e parë do sigurohen 900 mln vaksina. Ne kemi paguar për vaksinën dhe do marrim vaksinat 1 mln e 400 mijë. Vetëm pas përfundimit të marrëveshjes dhe shpalljes nga EMA do të përdoret vaksina. Nuk kemi një datë ekzakte por është e sigurt që vaksina do të fillojë brenda 30 marsit. Ne jemi paralel me vendet e tjera. E gjitha qeveria, nëpërmjet kontakteve që ka, do të kemi burime vaksinash dhe nga vendet europiane. Duke qenë një vend i vogël ne e kemi problem kontaktin me kompani shumë të mëdha si Moderna apo Pfizer. Ne jemi një vend i vogël dhe kemi nevojë për pak vaksina. Ne kemi kontaktuar shumë vende që kemi marrëdhënie të mira për të marrë një sasi vaksinash. Ne do ta fillojmë patjetër vaksinën në fillim të vitit të ardhshëm" - tha Nikolla.

Ndërsa përsa i përket situatës së koronavirusit në vend, Nikolla thotë se aktualisht është nën kontroll. Ai shprehet se momentalisht, në spitalet COVID janë 550 shtretër, prej të cilave janë të zëna 344.