Vaksina ‘PittCoVacc’ do të jetë një fashë me 400 mikro gjilpëra që do vendoset mbi lëkurë

3 Prill 2020, 14:20

Në Universitetin e Pittsburgh, është në studim një vaksinë e llojit bandazh (mbi lëkurë) kundër koronavirusit, e cila tashmë ka kaluar testet e para mbi minjtë te të cilët pas vaksinimit u prodhuan antitrupa specifikë kundër koronavirusit dhe që brenda një muaji mund të hyjë në fazën e pare të eksperimentimit mbi njerëzit.

Ndërsa rezultatet e testit u botuan në revistën ‘EBiomedicine’ (Lancet), mendohet se vaksina do jetë e lirë, e thjeshtë dhe mund të prodhohet shpejt në një shkallë të madhe.

E quajtur ‘PittCoVacc’ vaksina ka madhësinë e një maje gishti dhe që vendoset mbi poret e lëkurës, ka 400 mikro gjilpëra që nuk hyjnë thellë në lëkurë dhe që në 2-3 minuta shkrihen, pa dhimbje dhe pa gjakderdhje, duke lëshuar antigjenin, proteinën e veçantë e quajtur ‘spike’ dhe gjeneron antitrupa të mjaftueshëm për të luftuar koronavirusin brenda tri javësh. (Proteina "spike" është një lloj çelësi që virusi përdor për të hyrë në qeliza dhe nëse bllokohet ky çelës mund të ndalohet virusi).