Vaksinat anti-COVID-19, KE miraton fondin prej 70 mln euro për Ballkanin Perëndimor!

28 Dhjetor 2020, 15:08 | Përditesimi: 28 Dhjetor 2020, 15:08

Sot komisioni evropian miratoi një paketë prej 70 milion € nën Instrumentin e Para-Anëtarësimit për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të siguruar vaksinat kundër COVID-19. Lajmin e dha vetë komisioneri për zgjerim Oliver Varhelyi, i cili theksoi se BE ka qënë në krah të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 “Gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar që ne e trajtojmë Ballkanin Perëndimor si partnerë të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke marrë hapa për të mundësuar një fillim sa më të shpejtë të vaksinimit për stafin shëndetsor dhe grupet më të rrezikuara në fillim. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në vënien nën kontroll të pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor", tha Varhelyi.

Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së vaksinave për grupet prioritare në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit. Kjo do t'i mundësojë Ballkanit Perëndimor të blejë një numër vaksinash nga Marrëveshjet paraprake të BE me gjashtë prodhues.

Ndërsa BE vazhdon të mbështesë iniciativën COVAX dhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar atë, dorëzimi i vaksinave sipas kësaj skeme pritet të fillojë më vonë se fushatat e vaksinimit në BE. Aksesi në një numër dozash nga marrëveshjet e blerjes së BE do të lejojë që rajoni të fillojë vaksinimet paralelisht me Shtetet Anëtare të BE.

Komisioni dhe Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve po ndihmojnë gjithashtu rajonin në finalizimin e strategjive të vaksinimit në përputhje me rekomandimet e Komisionit për të siguruar përgatitjen e duhur dhe administrimin e vaksinave.

Komisioni po koordinon gjithashtu dhurimin e disa prej dozave të prokuruara nga Shtetet Anëtare të BE për vende të ndryshme partnere në mënyrë që të garantojë qasjen e tyre të hershme në vaksinat COVID-19 për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe popullatat në nevojë derisa vaksinat përmes COVAX .

 

b.ha./Shqiptarja.com