Vaksinim/ Erida Nelaj për Report Tv: Qytetarët nuk mund të zgjedhin vaksinën që duan

28 Mars 2021, 07:46

Shefja  e programit të vaksinimit në ISHP, Erida Nelaj, tha se ditën e nesërme prite të nisë vaksinimi i personave mbi 70-vjeç me vaksinën kineze.

Në një intervistë për "Report Tv", Nelaj u shpreh se dje nisi vaksinimi me vaksinën ruse, Sputnik V ndërsa për atë kineze, Sinovac, tha se do të shpërndahet sot në të gjitha qendrat shëndetësore.

Ajo shtoi se në Tiranë, në stadiumin "Air Albania", prite që nesër të vaksinohen 800 të moshuar.

"Dje dhe sot po shpërndahet në të gjitha njësitë dhe nesër do jetë në të gjitha qendrat shëndetësore. Nga nesër vazhdon deri diku vaksinimi me AstraZeneca,  deri sa të mbarohen dozat, por me të po vaksinohen arsimtarët, ndërkohë po furnizohen qendrat me vaksinën kineze që është dhe më e lehtë sepse është vetëm me një flakon. Nesër do të fillojë vaksinimi me popullatën, mund të kenë mbetur pa vaksinuar arsimtarë apo personel shëndetësorë ata që nuk kanë qenë mirë ose që kanë kaluar COVID. por nuk përjashtohen,  nuk i iku radha, por tani vaksinimi do të jetë më masiv. Vazhdojmë të jemi te mosha 70+ dhe vaksina ruse vijon të jetë për këtë moshë, ka filluar dje te stadiumi "Air Albania". Do të ketë një vaksinim masiv në Tiranë, ku do vaksinohen 800 të moshuar, tashmë fillon masivisht. Objektivi 15 mijë vaksina në ditë arrihet, por duhet të kemi parasysh që bëhet fjalë për persona të moshuar, me persona të rinj mund të ecte shumë më shpejt", tha ajo.