Vaksinimi kundër virusit kthehet në shpresë për turizmin e 2021! Operatorët turistikë: Presim rezervime pas majit

25 Shkurt 2021, 16:16 | Përditesimi i fundit: 2021-02-25 16:19:34

Turizmi vijon të jetë një nga sektorët më të goditur nga pandemia COVID-19. Teksa e mbylli vitin 2020 me rënie të theksuar, edhe vitin 2021 e ka nisur përsëri në tkurrje. Tashmë operatorët e sektorit turistik i kanë varur shpresat tek procesi i vaksinimit por jo vaksinimi në Shqipëri, por në shtetet e huaja, pasi vendi ynë nuk ka aplikuar masa të ashpra, të tilla si mbyllje kufijsh apo kërkesa e tamponit.  “Me përhapjen e lajmit të vaksinës në janar të 2021 u dha edhe një shpresë për sektorin e turizmit. Mund të themi se do të jetë një vit ende për mbijetesë”, shprehet përfaqësuesja e një agjencie turistike Jeta Hoxha. “Kemi shpresë më të madhe nga sa e kishim disa ditë më parë që të paktën të iki faza e frikës së madhe dhe fillimisht të çlirohen nga frika brenda shteteve të tyre dhe më pas të fillojnë të lëvizin”, thotë operatori turistik Xhimi Lamaj.  Operatorët e turizmit Xhimi Lamaj dhe Jeta Hoxha thonë se të gjitha rezervimet e vitit  2020 që u shtynë për këtë vit deri në maj janë të anuluara, ndërsa pritshmëritë janë për riaktivizim të tyre përtej kësaj periudhe.  “Rezervimet kanë filluar por janë lënë pezull deri në lehtësimin e masave nga shtetet që do të vijnë këtu tek ne. Pjesa e rezervimeve të vitit 2020 që janë anuluar kanë filluar që këtë vit ri-mendohet ardhja tek ne por po shikohen çmimet”, tha Hoxha.     “Nga nëntori i vitit të kaluar e vitit të kaluar deri më tani nuk kemi asnjë lloj lëvizje asnjë lloj hyrje, asnjë lëvizje. Të gjitha prenotimet për deri në maj janë të anuluara”, shprehet Lamaj.  Në muajin e parë të vitit numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri, ka rënë me 25.7% krahasuar me vitin 2020. Hyrjet më të mëdha gjatë këtij muaji ishin nga Kosova dhe Zvicra, dhe rënia më e madhe me Greqinë dhe Spanjën.