Vaksinimi masiv me 'Sinovac', të moshuarit: Nuk kemi frikë, kemi shpresë te vaksina

28 Mars 2021, 11:05 | Përditesimi i fundit: 2021-03-28 11:15:28

Të moshuarit +70 dhe +75 vjeç janë bërë pjesë e vaksinimit në sheshin "Skënderbej", ku ka nisur dhe vaksinimi masiv i popullsisë me vaksinën kineze 'Sinovac'. Për Report Tv, qytetarët shprehen se ndihen mirë, nuk kanë frikë dhe se janë lajmëruar nga mjeku i familjes për të ardhur sot për të bërë vaksinën.

"Ndihem shumë mirë, ky është një shpëtim jete për të gjithë. Pandemia ka qenë e vështirë për të gjithë, por e kemi kaluar. Vetë nuk e kam kaluar COVID", tha një i moshuar.

 

"Ndihem shumë mirë nuk kam frikë fare, ka qenë një vit i vështirë, kam pasur të afërm të prekur por e kaluan lehtë", tha një e moshuar.

 

"Mirë ndihem, kam shpresa që do jem më e sigurt pas vaksinimit. Më lajmëroi mjeku i lagjes. Vit i vështirë është për të gjithë, jo vetëm për ne", tha një tjetër.