Vaksinimi masiv, Ogerta Manastirliu: Këtë javë vijnë 7.000 doza Pfizer, 20 mijë gjithsej deri më 19 prill

31 Mars 2021, 09:55

Sot në ditën e katërt të vaksinimit masiv në të gjithë vendin, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka dhënë të tjera detaje mbi ecurinë e procesit.

Manastirliu bëri me dije se gjatë muajit prill do të vijnë 20 mijë doza të vaksinës Pfizer.

Presim nga kontrata me kompaninë Pfizer të kemi sërish përgjatë muajit prill rreth 20 mijë doza. Brenda javës së parë presim 7 mijë dozat e para, e më tej deri në datë 19 prill 20 mijë doza. Ndërkohë që presim që të lëvrohen edhe sipas kalendarit të lëvrimit dhe pjesa tjetër e dozave Sinovac”, bëri me dije Manastirliu.

Ajo tha se vendi është i përgatitur për të rritur numrin e vaksinimeve.

“Të gjithë ekipet tona të vaksinatorëve po bëjnë një punë shumë të mirë. Fakti që për tre ditë radhazi kemi kryer mbi 50 mijë vaksinime tregon që kapacitetet tona janë të mjaftueshme. Por sigurisht jemi përgatitur që të rrisim numrin e vaksinimeve nëpërmjet kapaciteteve tona të burimeve njerëzore, të cilat tashmë i kemi trajnuar dhe i kemi futur edhe në forcë”, tha Manastirliu.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer 119,321 vaksinime.