Vaksinimi në rrethe, 40 mijë të vaksinuar në Vlorë, 25 mijë në Shkodër

3 Maj 2021, 17:13

Po vazhdon me ritme të shpejta vaksinimi i popullatës, ku në Vlorë numërohen rreth 40 mijë të vaksinuar dhe në Shkodër 25 mijë. Aktualisht po marrin dozën e dytë të vaksinës të gjitha kategoritë, si të moshuar, mësues, gazetarë e policë. Vaksina duket se po jep efektet e para, pasi është shënuar rënie e numrit të infektuarve.

Në qytetin bregdetar të Vlorës vazhdon vaksinimi i popullatës me ritme të shpejta. Janë vaksinuar kundër COVID-19 rreth 40 mijë qytetarë, ndërkohë që po merret doza e dytë e vaksinës.

"Deri tani janë vaksinuar rreth 39600 persona dhe besoj sot do arrijmë në 40 mijë. Të gjithë personat që kanë dozën e dytë, e kanë datën e shënuar, po ashtu u komunikohet edh enë telefon., Ka kërkesë nga qytetarët që duan të udhëtojnë jashtë shtetit për ta bërë në afat më të shkurtër nga sa lejohet vaksinimi për nevoja personale, por kjo nuk është e mundur dhe duhet të respektojmë rregullat", tha Shefi i epidemiologjisë në Vlorë Agron Bashllari.

Kërkesat janë shumë të larta, ndaj Bashllari tha se të gjithë personat mbi 18-vjeç mund të paraqiten tek mjeku i familjes për të bërë planifikimin për datën e vaksinës.

"Kjo fundjavë të gjithë e pamë që kishim një numër të madh të ardhurish në Vlorë që do të thotë se ditët në vijim fluksi i personave do të jetë dhe më i larët dhe për këtë duhet të vaksinojmë sa më shpejt popullatën. Të gjithë personat mbi 18 vjeç duhet të paraqite te mjeku i familjes dhe të planifikojnë ditën e vaksinimit, nëse nuk e kanë bërë akoma", shtoi ai.