Valteri: Nëse polici shpallet fajtor për vrasjen e 25 vjeçarit, Lleshaj e Veliu të japin dorëheqjen!

9 Dhjetor 2020, 23:41 | Përditesimi i fundit: 2020-12-10 00:02:35

I prerë dhe me tone të ashpra është shprehur deputeti i Lëvizjes Demokratike Shqiptare, Halit Valteri për vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga efektivi i policisë. I ftuar në emisionin Repolitix ai thotë se nëse autori i vrasjes shpallet fajtor, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Drejtori i Policisë së Tiranës duhet të japin dorëheqjen.

Ai thotë se do të jetë vetë ai që do të shkojë në shtëpitë e drejtuesve të policisë për t'i kërkuar llogari mbi këtë ngjarje të rëndë.

Ne duhet të presim një konkluzion të fundit. Kemi parë një zhurmë mediatike ku të gjitha kanë një version. Del një gazetar që jep konkluzion që kjo ka ndodhur në këtë formë. Lërini organet e drejtësisë  që të hetojnë. Unë doja të dilja të protestoja aty por që në momentin që pashë ekspontentë partie që udhëheqin protesta. Prisni sa nëse shpallet fajtor polici, unë do jem i pari që do shkoj në shtëpinë e Ardi Veliut dhe Sandër Lleshajt dhe do i marrë zvarrë e do u them ecni dhe jepni llogari atje. Ata të pafytrë jo vetëm që duhet të japin dorëheqjen... duhet të japin dorëheqjen Ministri i Brendshëm, Drejtori i Policisë së Shtetit dhe Drejtori i Policisë së Tiranës. Çfarë duhet të ndodhë më? Lleshaj ka thënë që çdo gjë që bëjnë policët janë fytyra e Sandër Lleshajt. Ai nuk ka fytyrë më të rrijë në Shqipëri por të shkojë të marrë azil" - tha Valteri.

Gjithashtu Valteri ka hedhur akuza dhe mbi përbërjen e forcave të policisë "Shqiponja" duke i cilësuar ata problematikë. Sipas tij, efektivët e "Shqiponjës" nuk dinë të sillen dhe të komunikojnë qytetarët dhe veprojnë vetëm përmes dhunës.