Në një intervistë për median gjermane ‘‘Frankfurt Allgemeine”, komisioneri evropian për zgjerimin, Olivier Varhelyi u ndal tek ecuria e Shqipërisë, ku ka theksuar se deri më tani vendi ka bërë përpjekje të mëdha, por thekson se çelja e negociatave me BE nuk ishte aspak e lehtë.
I pyetur nga gazetari për deklaratat e shumë krerëve të qeverive në rajon, në veçanti të kryeministrit Edi Rama se suksesi i një vendi në lëvizjen më pranë BE nuk varet vetëm nga reformat e tij, Varhelyi insiston se janë reformat ato që përcaktojnë fatin e integrimit.
“Kështu është. Nuk ishte e lehtë për ne të fillonim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, por ne ia dolëm”, tha Varhelyi.
Varhelyi tha se është e nevojshme që një vend të tregojë vendosmërinë e tij për të realizuar reformat e kërkuara për integrimin evropian dhe sipas tij shembulli konkret i këtij rasti janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
“Ajo që ne po ofrojmë është anëtarësimi i plotë, vendim i cili merret nga krerët e shteteve dhe qeverive", tha Varhelyi.
Varhelyi deklaroi se BE do të mbështesë në rrugën e integrimit dhe po ashtu me mbështetje ekonomike të gjitha vendet të cilat do të plotësojnë kriteret demokratike.