Varianti britanik ka hyrë në Shqipëri, masat e njëjta dhe për 2 javë! Zëvendësohen Çomo e Kalo

11 Mars 2021, 17:10

TIRANË- Komiteti Teknik i Ekspertëve konfirmon se në Shqipëri qarkullon varianti britanik i COVID me përhapje më të madhe, e cila është reflektuar edhe në shifrat e larta të rasteve të reja në 24 orë. Numri i infektimeve vijon të mbetet shqetësues, pavarësisht një uljeje të lehtë në fillim të marsit, dhe për këtë arsye masat kufizuese do jenë në fuqi edhe për 2 javë. Përtej debatit në disa shtete, në Shqipëri vaksinat e AstraZeneca-s do të përdoren në çdo grupmoshe. Shefja e ISHP-së, Silva Bino tha se kjo vaksinë është e sigurt dhe e efektshme te të gjitha moshat, jo vetëm mbi 65-vjeç. Studimet e kanë vërtetuar një gjë të tillë, shtoi Bino, për këtë arsye Italia dhe Gjermania janë tërhequr nga vendimi për të vaksinuar me AstraZenica vetëm mbi 65-vjeç dhe e kanë shtrirë atë në të gjithë popullsinë.Sot Komitetit Teknik të Ekspertëve iu shtuan 3 anëtarë të rinj, pas largimit të Najada Çomos e cila u kandidua për deputete si edhe mjekut Tritan Kalo pas pakënaqësive të tij. Anëtarët e rinj janë Dhimitër Kraja, Alban Ylli dhe Ermira Kola. Në një analizë të gjerë të situatës epidemiologjike në Shqipëri, drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico tha se gratë janë më të rrezikuara nga COVID-i, por te meshkujt janë rastet më fatale. Nga ana tjetër, që nga fillimi i pandemisë, kanë rezultuar pozitiv 3500 fëmijë, prej të cilëve 5% e tyre kanë kërkuar ndihmë spitalore. Masat që janë ende në fuqi 1.Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania. 2.Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery). 3.Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë. 4.Universitetet vijojnë online 5.Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe