Vasili: Opozita në protestë edhe për Kosovën, po penalizohet prej Shqipërisë së Ramës

1 Maj 2019, 15:10

 

Pas Shqipërisë, opozita e bashkuar do të dalë në protestë kundër Edi Ramës, edhe për të mbrojtur qytetarët e Kosovës. Deklarata e presidentit francez, Macron në Samitin e Berlinit se nuk aprovon liberalizimin e vizave me Kosovën, për shkak të eksperiencës së "keqe" me Shqipërinë, ka sjellë reagime të shumta nga partitë opozitare. Numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili e ka konsideruar  këtë lajm si lajmin më të keq që vjen nga Samiti i Berlinit.

"Qytetarët mësuan se Shqipëria është një nga problemet kryesore sepse Kosova, vëllezërit tanë në Kosovë nuk mund të ecin përpara në procesin e liberalizmit, jo për shkak të tyre,por për shkak të Shqipërisë, e cila duke u bërë një precedent I rrezikshëm pengon dhe ata në rrugën e integrimit. Ndaj protestat tona, janë protesta për të ecur përpara në Integrimin Europian të Shqipërisë, janë protesta edhe për vëllezërit tanë në Kosovë, të cilët nuk mund dhe nuk është e ndershëm të dënohen, penalizohen, izolohen sepse qeveria e kapur dhe e korruptuar në Tiranë ua pengon edhe atyre ëndrrën europiane. Faleminderit", tha Vasili.

Vasili ka bërë fajtor kryeministrin Rama, sipas së cilit, ndryshe nga sa thotë, ka për qëllim bllokimin e Integrimit Europian.

"Integrimi europian është prioritet madhor, nuk është pronë e qeverive sikurse do ta trajtojë Edi Rama dhe Rilindja e tij. (...)Pasi qeveria shqiptare, kthimi në prioritet madhor, mobilizimin e të gjithë energjive më pozitive, për pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve politikë, opozitë, mazhoranca, shoqëri civile, njerëz të dijes, njerëz të shkencës, njerëz me ide.  E ka zëvendësuar këtë gjë me disa lobime të errëta dhe të dyshimta me personalitete të huaja, me darka e dreka restorantesh, me negocime të paprincipta dhe me pritmëninë e jashtëzakonshme, se dikush nga diku do na bëjë një dhuratë sepse ne e njohim e kemi mik, e kemi shok dhe hamë e pimë", tha Vasili.

    No videos found.