Vazhdon ‘lufta’ mes SHBA-së dhe Iranit, Trump: Do të goditet shumë shpejt dhe fuqishëm!

5 Janar 2020, 11:28

Vazhdon ‘lufta’ dhë kërcënimet në distancë ndërmjet SHBA dhe Iranit, pas sulmit ajror amerikan që vrau gjeneralin iranian, Qassem Soleimani.

Ka qenë Presidenti i SHBA-ve Donald Trump që u është përgjigjur kërcënimeve të shpeshta të Iranit për hakmarrje të fortë për vrasjen e Soleimanit.

Presidenti amerikan thotë se Irani ka qenë një problem për shumë vite dhe se lideri terrorist i vrarë ishte bërë gati të sulmonte ambasadën e SHBA-së dhe të godiste disa lokalitete të tjera.

Sipas BBC, duke iu referuar kërcënimeve të Iranit, Trump shkruan se SHBA ka në shënjestër 52 site iraniane që përfaqësojnë 52 amerikanët e marrë peng nga Irani shumë vite më përpara.

"Irani nuk ka qenë asgjë vetëm problem për shumë vite. Le të shërbejë kjo si PARALAJMËRIM. Nëse Irani vret qoftë një amerikan apo sulmon nje aset të amerikanëve, ne kemi në shënjestër 52 site iraniane që përfaqësojnë 52 amerikanët e marrë peng nga Irani shumë vite më përpara. Disa nga këto site janë tepër të rëndësishme për Iranin, kulturën iraniane. Irani vetë do të GODITET SHUMË SHPEJT E SHUMË FUQISHËM. SHBA nuk do më kërcënime!", është shprehur Trump.

Ndërkohë nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohamed Jaëad Zarif e cilësoi homologun amerikan, Mike Pompeo si “klloun arrogant”, referuar komenteve të tij se irakianët “vallëzuan” në rrugë nga gëzimi, pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Soleimani.

Pompeo publikoi në llogarinë e tij në Twitter një video që përshkruante protestuesit irakianë në rrugë, të cilën e shoqëroi me titullin: “Irakianët duke kërcyer në rrugën drejt lirisë; mirënjohës që gjeneral Suleimani nuk ekziston më.”

Mijëra vetë, mes tyre dhe Kryeministri i Irakut Adel Abdel Mahdi, morën pjesë të shtunën në ceremoninë e varrimit të gjeneralit iranian Qassem Soleimani, komandantit të lartë irakian Abu Mahdi al-Muhandis si dhe tetë udhëheqësve të tjerë ushtarakë irakian, të cilët u vranë të premten nga një sulm ajror amerikan, ku objektiv i sulmit ishte gjenerali iranian Soleimani.

Sipas presidenti Donald Trump, sulmi në fjalë ndodhi  për të ndaluar një sulm të afërt që Soleimani kishte planifikuar të kryente ndaj amerikanëve në rajon.