Vazhdon ping-pongu mes Thaçit dhe Kurtit, Lideri i Vetëvendosjes: Takohemi në datën 6 janar, Philip Kosnett takon Kurtin e Mustafën

30 Dhjetor 2019, 19:06

Albin Kurti ka refuzuar sot për herë të tretë ftesën e re që Presidenti Hashim Thaçi i dërgoi Liderit të Vetëvendosjes, ftesë e cila parashihte që takimi i mundshëm të mbahej nesër në orën 10:00 në presidencëPor, në dallim nga dy herët e tjera Kurti ka propozuar një ditë tjetër për takim, datën 6 janar. 

“Me qëllim konsultimin për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.

“Fatkeqësisht, nuk do të kem mundësi të vij nesër për takim në ora 10:00”, thuhet në letrën që Kurti i ka drejtuar Thaçit.

Më parë Thaçi i kishte dërguar dy ftesa të tjera Albin Kurtit për tu takuar për mandatimin e këtij të fundit për formimin e qeverisë. LVV ftesës së parë iu përgjigj se Kurti ndodhej jashtë Prishtinës dhe se ai do t’i komunikonte presidentit datën dhe datën e takimit kurse ftesës së dytë lideri i VV iu përgjigj duke kritikuar Thaçin se fillimisht i kishte përcjellë ftesat te portalet, madje, ai ka ironizuar me ftesat e presidentit Thaçi duke thënë se vetëm gjimnazistët mund të caktojnë takime sot për sot.

Ndërkohë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka takuar sot krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosja dhe ka kërkuar prej tyre formimin sa më shpejtë të qeverisë së re në Kosovë

Mesa duket viti 2019 në Kosovë do të mbyllet pa qeveri të re. Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV, Albin Kurti deklaroi se datën për krijimin e qeverisë e përcakton LDK-ja dhe jo Presidenti duke shtuar se do të ketë intensifikim të takimeve me partinë e Isa Mustafës për një marrëveshje në janar.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa që përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, iu përgjigjigj Kurtit duke i thënë se nuk është LDK-ja ajo që po pengon krijimin e qeverisë së re. Mustafa tha se LDK-ja nuk po kërkon lëmoshë, por atë që i takon në raport proporcional me atë që ka fituar në zgjedhje, një deputet më pak se Vetëvendosje.

Mister mbetet se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, nëse do të ketë tentativa të tjera nga Vetëvendosje për koalicion me LDK-në.

Isa Mustafa u shpreh një ditë para konstituimit të Kuvendit të Kosovës se mund të votojë Albin Kurtin për kryeministër, ashtu sikur votoi kryetarin e Kuvendit nga Vetëvendosje dhe më pas partia e tij të dalë në opozitë.