SHKODËR- Familja Rexha ka hapur dyert e mortit, edhe pse nuk kanë trupin e djalit që ta qajnë. Në vend të trupit, në qendër të shtëpisë, në tavolinën e mesit është vendosur fotoja e 36-vjeçarit...Me lot të sy, e veshur me të zeza, nëna e Mentor Rexhës, shqiptarit që u gjet i vdekur në burgun e Francës, Rukie gjen forcën për të folur para mediave, për të kërkuar ndihmë drejtuar specifikisht kryeministrit Edi Rama që t'i sjellë trupin e djalit të saj në shtëpi. Ajo shprehet se bindur se djali i saj nuk është vetëvrarë, siç autoritetet franceze pretendojnë, por e kanë vrarë.
Telefonata e fundit që Mentor Rexha ka pasur nga burgu ka qenë me vëllanë e tij, i cili jetonte në Gjermani. Nëna rrëfen se djali i saj nuk ka shprehur asnjë shqetësim në asnjë nga telefonatat që ka bërë, e sipas saj nuk ka pasur asnjë arsye që të vetëvritet. Mentor Rexha prej më se një viti ishte larguar nga Shqipëria drejt Francës, për një jetë më të mirë, siç rrëfen nëna, por prej gjashtë muajsh ndodhej në burg me akuzën se ka djegur disa makina së bashku me një grup të rinjsh."Djalin ma kanë mbytur dhe haber s'na kanë sjellë. S;kemi marrë asnjë lloj lajmi. Djali im nuk është varur, por e kanë mbytur. Është me shenja dhe e ka verifikuar motra e vet dhe e ka gjetur të shtypur dhe të vrarë. Lajmin e kemi marrë vesh shumë vonë, kur na ka lajmëruar shoku i vet që ka hëngër bukë me të. Kishte një vit, ka shkuar në Francë për një jetë më të mirë. Dyshohet se kishte djeg makinat, e kanë arrestuat kur po fliste me vëllanë e vet. S'është e vërtetë që ka vrarë veten, kishte 6 muaj në burg. nuk ka pasur asnjë lloj shqetësimi. Javën e kaluar ka folur me vëllanë. Kërkoj të drejtën e djalit tim, i lutem ministrit dhe kryeministrit që nëse kanë fëmijë të dera të ma sjellin djalin në shtëpi. Të bëjnë çmos se djalin ma kanë myt. E kanë bërë me zor me firmos vajzën, por s'ka pranuar. E kanë nxi, e kanë dërrmuar. nuk është e vërtetë që djali im është vrarë. Ka shenja dhune. I lutem shumë që të ma sjellin djalin te shtëpia", shprehet ajo.