Vdekja 'fantazmë' e shqiptarit në Itali, punëtori që të gjithë e mohojnë

7 Qershor 2019, 12:21 | Përditesimi i fundit: 2019-06-07 12:21:20

Ai u largua nga jeta gjashtë muaj më parë, por ende sot asnjë sipërmarrje ndërtimi nuk pranon ta ketë patur punonjës të tij. Të gjithë e mohojnë dhe ngrejnë supet. Ai vdiq në punë gjashtë muaj më parë, por ende sot nuk është e mundur të dihet për llogari të kujt punonte sepse të gjitha kompanitë e ndërtimit e mohojnë njohjen me të.
Zyber Curri ishte 48 vjeç, i martuar dhe me katër fëmijë. Ai kishte shkuar në Itali me gjithë familjen, kur Kosova e tij ishte shndërruar në një teatër lufte. Gjatë qëndrimit në Itali, Zyber jetoi në Edolo, në Valle Camonica, por profesioni i tij punëtor ndërtimi e bëri që ai të punonte pothuajse kudo në Lombardi. 

Në mëngjesin e 12 dhjetorit të vitit 2018, ai punonte në një impiant hidroelektrike në Val Cavargna, krahinë e Como-s. Aty Zyber Curri transportonte tuba në zonën e Mondragos, kur ndoshta për shkak të akullit mund të ketë rrëshqitur disa metra poshtë duke përplasur disa herë kokën nëpër shkëmbinj.
"Kjo ndodhi rreth orës 11.30, por ne e mësuam vetëm pas orës 21.00" - kujton Mina, vajza e tij më e madhe. "Askush nuk erdhi tek ne, as të na informojë dhe as të kërkojë informacion të dobishëm për hetimin"- ka thënë ajo.

Por, ndërsa prokuroria në Como hapi dosje hetimore, pranë familjes Curri u paraqit dhe sindikata e ndërtimit. "Kemi hetuar në të gjithë rajonin për të rindërtuar historinë e Zyber Currit. Hetim për të cilin na kanë ndihmuar edhe vajzat e të ndjerrit - thotë sekretari i Fillea Cgil Valcamonica-Sebino, Donato Bianchi.  Nga mozaiku i hetimit disa mujore, del se në kohën e aksidentit punonjësi kosovar është punësuar nga Hera Srl me qendër në Gallaratë, komunë në Lombardi. Duket se, Zyber Curri i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës për punë të njeriut, që vepronte si menaxher i Edilnova Srl, i cili gjithashtu i kishte dhënë atij një veturë me të cilën ai transportonte kolegë të tjerë lart e poshtë dhe në fundjavë shkonte në shtëpi.