Vdiq pasi u hodh nga kati i 3-të i Sanatoriumit, 29-vjeçari me COVID djali i stilistes së njohur

13 Gusht 2020, 13:41

TIRANË- Mëngjesi i kësaj të enjteje ka regjistruar një ngjarje tragjike. Një 29-vjeçar i infektuar me COVID-19 është vetëhedhur nga kati i tretë i Sanatoriumit, ku ndodhej i shtruar prej 4 ditësh!

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orësh 04:30 të mëngjesit të sotëm, teksa Report Tv mëson se viktima është Xhino Koça. Referuar deklaratës zyrtare të vetë spitalit "gjendja e tij ishte e stabilizuar ku po kurohej me terapinë e plotë të mjekimit". Lidhur me shkaqet, njofton spitali, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente.

Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 29-vjeçarit me inicialet Xh. K. i cili i dha fund jetës mëngjesin e sotëm, dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij. I riu i konfirmuar me COVID-19, po trajtohej prej 4 ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me terapinë e plotë të mjekimit dhe gjendja e tij ishte e stabilizuar. Lidhur me arsyet që e çuan të riun drejt këtij akti ekstrem, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente. Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se do të vazhdojë të ofrojë me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë", thuhet në reagimin zyrtar të spitalit. 

Kush është Xhino Koça? 29- vjeçari ishte djali i vogël i një familje durrsake, ndërsa nëna e tij është stiliste e njohur. Trupi i tij i pajetë u dërgua në morgun e Tiranës, aty ku ishte e pamundur të merrje një reagim të të afërmve për arsyet që mund ta kenë çuar Xhinon drejt aktit ekstrem të vetëvrasjes.