Veliaj apel drejtësisë, të vërë para përgjegjësisë urdhëruesit e vrasjeve të 21 janarit: Po na rikthehen si ofertë e re politike

21 Janar 2021, 15:49

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi sot se 21 janari është një ditë reflektimi, për të mos harruar ata që vranë 4 të pafajshëm dhe sot kërkojnë të rikthehen si ofertë e re politike. Nga Bërzhita, ku vizitoi shtëpitë e reja të Skënder Banjës dhe Bedri Shatrit, Veliaj shtoi se është koha që drejtësia e re të japë verdiktin për përgjegjësit e atij krimi.

“Sot është një ditë gëzimi për ata që hyjnë në shtëpinë e re, por është edhe një ditë hidhërimi për ata që përkujtojnë 21 janarin. Ndaj të njëjtën ndjesi me shqiptarët, të cilët thonë: ‘Kanë kaluar 10 vjet dhe ende s’ka drejtësi, si është e mundur? Si ka mundësi që u vranë 4 vetë për bllokun e Ilirit dhe të Monikës, me urdhër të Saliut dhe Lulit, dhe nuk ka ende drejtësi? Lajmi i mirë është se pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar kanë ikur nga drejtësia. Iku raca e Gjin Gjonit, e atyre që bënin pazar me drejtësinë! Shumë njerëz mbase nuk e kuptojnë se, sado të dojë Edi Rama dhe qeveria, drejtësia është pushtet më vete, ndaj fillimisht duhej pastruar. Tani, drejtësia e re duhet të marrë përgjegjësitë që nuk i mori drejtësia e vjetër. Drejtësia e re duhet të japë një verdikt! Ata njerëz nuk u vranë pa dashje, nuk u vranë as me çadra, as me stilolapsa. Ata njerëz u vranë me plumba në mish, kur Saliu ishte në kryeministri dhe Luli ishte ministër në tarracën e Kryeministrisë”, deklaroi Veliaj.