Erion Veliaj u betua si kryetar i Bashkisë së Tiranës në një ceremoni në këshillin bashkiak ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.
“Betohem në nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe do t’ i bindem kushtetutës dhe ligjeve. Betohem se në të gjithë veprimtarinë time do të udhëhiqem nga interesat e qytetarëve të Bashkisë së Tiranës, e do të punoj me ndershmëri e përkushtim për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së tyre”, lexoi kryetari i ri Këshillit Bashkiak Toni Gogu formulën e betimit, ndërsa Veliaj përsëriti fjalën “Betohem”.
Më pas në fjalën e tij të parë si kryebashkiak i ri i Tiranës Veliaj falenderoi Partinë Sopcialiste, kryeministrin Edi Rama dhe qytetarët e Tiranës që i besuan atij drejtimin ebashkisë dhe punëve në kryeqytet për një mandate të dytë.
“I kam qenë gjithmonë shumë mirënjohës Edi Ramës dhe PS që më dha besimin të drejtoj kryeqytetin në këto vite por në fakt këtë mirënjohje në këtë mandat e kam dy here më të madhe se tani kam rënë në dashuri me Bashkinë dhe tani e kuptoj se ç’mendim ose ç’vështirësi për vendimmarrje mund të ketë pasur Edi Rama, PS, ata që më dhanë këtë mbështetje pasi kanë qenë këtu dhe nostalgjia e të pasurit të një vendi ku ke rënë në dashuri, ke shërbyer me dashuri, ke kaluar me përkushtim ditë të tëra, për t’ ia transferuar dikujt të ri, besoj që ka qenë jashtëzakonisht e vështirë dhe sot jam dyfish i nderuar për besimin që mu dha nga PS dhe për besimin që mu dha nga qytetarët e Tiranës, ndoshta në zgjedhjet më të pazakonta në historinë e qytetit tonë dhe vendit tone”, tha Veliaj.
"Nuk mjafton vetëm të krijojmë një histori të Tiranës, duhet ta komunikojmë këtë histori të Tiranës, reformave dhe punës në administrimin e Tiranës", shtoi ai.
Veliaj tha se u është mirënjohes skuadrës së Bashkisë së Tiranës, nga bashkëpunëtorët e ngushtë si nënkryetarët, deri tek punonjësi më i fundit.
"Unë besoj që arritja më e madhe është njerzillëku, fakti që këtij qyteti i shërbejmë në një mënyrë që rrogat në shtet nuk janë të atij niveli që i shohim në privat, por bashkia shihet si mision ndaj qytetarit. Kjo më bën të ndihem i përkulur dhe shumë krenar për stafin e Bashkisë së Tiranës", theksoi kryebashkiaku Erion Veliaj.