Veliaj inspekton rifillimin e mësimit në shkollën “Alush Bardhi” në Farkë

24 Shtator 2019, 14:27

Pavarësisht lëvizjeve të vazhdueshme sizmike që goditën Tiranën të shtunën dhe reshjeve të dendura të shiut gjatë gjithë orëve të fundit, Tirana po i rikthehet normalitetit. Sot shkollat, kopshtet dhe çerdhet në kryeqytet filluan normalisht procesin mësimor, me përjashtim të tre shkollave, të cilat shfaqën problematika pas reshjeve të dendura të shiut gjatë natës. Por, edhe ato do të jenë gati për mësim nesër në mëngjes.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi shkollën “Alush Bardhi” në Farkë, ku dita e shkollës nisi me shpjegimin e situatës së tërmeteve për fëmijët nga punonjësit socialë. “Doja të inspektoja vetë që çdo gjë ka filluar normalisht. Mësimi ka filluar dhe ajo që më gëzoi më shumë është se përveçse ndërmarrja jonë e shkollave, kopshteve, çerdheve, në kohë rekord, duke gdhirë natën në të 300 institucionet e Tiranës, ka mbaruar riparimet, pastrimet e fundit e çdo problematikë tjetër nga tërmeti, e jo vetëm kaq, por ka përballuar edhe sfidën e jashtëzakonshme me shirat e dendur që patëm mbrëmë. Ndoshta, një pjesë e madhe e Tiranës që ishte në gjumë nuk e kuptoi, po kemi pasur shira sa të gjithë muajt e këtij viti, në një ditë. Në Tiranë ka rënë 115 milimetra shi, më shumë se çdo qytet tjetër”, tha Veliaj. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës do të ndërhyjë për riparimin e dy këmbëve të urës së Tërkuzës në Zall-Herr, si dhe në Bovillë, prej reshjeve të dendura të shiut. “Do të bllokojmë përkohësisht qarkullimin në urën e Tërkuzës në Zall-Herr, kemi dëmtime në të dyja këmbët e urës prej rrebeshit dhe stuhisë së mbrëmshme. Po bëjmë disa riparime në Bovillë, edhe aty kemi pasur një zhvendosje në tubacionin kryesor, fillimisht nga tërmeti, pastaj prej erozionit dhe rrëshqitjes së tokës. Shpresoj shumë që do të rregullohet brenda ditës së sotme, që mos të ndihet në furnizimin me ujë. Jemi duke monitoruar Bovillën, duke qenë se shiu i dendur ra në një kohë shumë të shkurtër, e kjo tipikisht prodhon një lloj turbullire, e cila kërkon kohë deri sa të dekantohet, që uji të jetë gati për filtrim, për të mos bllokuar filtrat e karbonit. Por, janë të gjitha gjëra që kanë një njeri mbi kokë dhe kanë një skuadër të bashkisë në këmbë, për t’i çuar gjërat deri në fund”, theksoi Veliaj.

    No videos found.