Veliaj ironizon Bashën: Ditën e Rinisë u rikthye te oligarkët, që çirrej e sulmonte deri dje!

8 Dhjetor 2020, 19:30

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ironizuar ditën e sotme kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili Ditën e Rinisë ka zgjedhur ta përkujtojë me dhjetra ekrane LED në Expo City, një prej qendrave tregtare për të cilat deri dje çirrej kur sulmonte oligarkët. Por, kryebashkiaku i ka provuar me fakte liderit demokrat, nga salla e re e Liceut Artistik ku zhvilloi bashkëbisedimin me studentët e ekselencës, se puna në drejtim të shkollave dhe të rinjve është ajo që bërtet më shumë se çdo fjalë, pasi tregon për prioritetin që të rinjtë kanë për secilën forcë politike. 

“Ata po takohen në një qendër tregtare, tregon pak a shumë kulturën që promovojnë. Deri dje i shanin qendrat tregtare, sot janë pjesë e përkrahjes së qendrave tregtare. Ne, në fakt, takohemi në një shkollë, sepse secili prej nesh në fakt shkon aty ku e thërret puna e vet. Jam sot shumë i lumtur që në këtë sallë të rikonstruktuar të Liceut, që sigurisht do gumëzhijë vitin tjetër, ne të kemi ndërtuar një etalon që e kemi replikuar edhe te salla “Adi Hila”, edhe te një pafundësi shkollash të tjera,” u shpreh Veliaj. 

“Secili prej nesh edhe në mënyrën se si legjitimon, qoftë edhe veprat publike, tregon se ku i ka prioritetet. Kush është te qendrat tregtare, që deri dje donte t’i digjte dhe kush është për kopshtet, shkollat, çerdhet dhe auditorët që do i ngelen qytetit edhe kur ne të mos jemi më këtu,” shtoi më tej kryetari i Bashkisë së Tiranës.