Veliaj: Jemi me staf të reduktuar, adopto një gjysh e një gjyshe!' 35 mijë të moshuar të vetmuar në Tiranë

29 Mars 2020, 13:29 | Përditesimi i fundit: 2020-03-29 16:22:11

TIRANË - Nga e hëna pensionistët do të duhet të qëndrojnë në shtëpi pa mundur të dalin për të blerë ushqime e ilaçe, deri në një vendim të dytë të qeverisë për situatën me koronavirusin.

Të gjitha shërbimet do t'u çohen në banesë nga autoritetet përkatëse. Por në kushtet kur gjithçka, përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës, po punon me staf të reduktuar si masë mbrojtëse për përhapjen e COVID-19, shihet e vështirë se si do t'u shërbehet të gjithë të moshuarve të vetmuar.

Vetëm në Tiranë janë mbi 100 mijë pensionistë, ndërsa të identifikuar prej tyre janë 35 mijë të moshuar që janë të vetmuar, pra që nuk kanë asnjë familjar të tyre pranë për t'i ndihmuar.

Në një intervistë për Report Tv, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ka nevojë për një sistem solidar, pasi vetëm nuk mund të përballohet. Ashtu si kopshtet dhe çerdhet që u rikonstruan falë investimeve nga privatët, kryebashkiaku i bëri apel të rinjve e të rejave që në këtë moment të vështirë që po kalon Shqipëria dhe gjithë bota, të adoptojnë një gjysh apo gjyshe. Kështu, kush merr lejen për të dalë nga shtëpia për të blerë pazaret pas autorizimin nga e-Albania, Veliaj kërkoi që në këtë fashë orare të blejë bukë, ushqim e ilaçe edhe për fqinjin e tij të moshuar që jeton i vetëm.