Veliaj: Kemi dosjet e shtëpisë të dëmtuara! Ndërhyjmë shumë shpejt me partneritet publik-privat

23 Shtator 2019, 18:32

TIRANE - Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi sot një tjetër familje të prekur nga tërmeti i fuqishëm që përfshiu kryeqytetin dy ditë më parë. Së bashku me deputetët Arben Pëllumbi dhe Mirela Kumbaro, Veliaj ishte në familjen e Shpëtim Dardhës në “Lagjen e Re” në Ndroq, ku theksoi se pas verifikimit të dëmeve, do të nisë puna për rikonstruksionin ose ndërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.

Kryebashkiaku nënvizoi se krahas fondit të emergjencave dhe atij të investimeve, Bashkia e Tiranës, në partneritet edhe me komunitetin privat, do të fillojë menjëherë punën për rikuperimin e dëmeve. “Ndroqi është një nga zonat më afër epiqendrës së tërmetit. Ndërtimi strukturor në kodër, me mjete rrethanore, me gurë nga lumi, me baltë, me qerpiç, me kallama e dërrasa, por edhe vjetërsia, e bëjnë ndërtesën jashtëzakonisht vulnerabël. Kjo është arsyeja pse sot ishim në shtëpinë e Shpëtimit. Janë rreth 22 shtëpi të dëmtuara dhe 8 me probleme më të moderuara. Sot do të bëjmë një mbledhje me komunitetin e ndërtuesve, që teksa ne vazhdojmë emergjencat me fondet dhe investimet që duhet të bëjmë, disa punë mund t’i bëjmë shumë shpejt edhe me komunitetin privat”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se eksperienca e suksesshme e bashkëpunimit me kompanitë private për ndërtimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave publike, do të zbatohet edhe për banesat e dëmtuara dhe rikuperimin e tyre brenda një kohe të shkurtër. “Do kemi brigadat e bashkisë për krahun e punës dhe donatorët për llaç dhe tulla. Inxhinierët, arkitektët dhe konstruktorët i kemi vetë dhe besoj se nëse bëjmë një partneritet publik-privat, siç kemi bërë për çerdhet, kopshtet, shkollat, ecim më shpejt. Një pakicë e njerëzve kanë alergji nga termi publik-privat, por këtu bashkimi sjell fuqinë. Ne mund të kemi 5 ekskavatorë, por bashkë me ta kemi 505; mund të kemi një brigadë me 100 veta, por bashkë me ta kemi 1100 veta”, tha Veliaj.

    No videos found.