Veliaj: Luli dhe Mona varen përditë te kangjellat e 'Sami Frashërit', por vetë nuk ndërtuan asnjë shkollë

6 Nëntor 2020, 22:28

Kryebashkiaku, Erion Veliaj, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste të Laprakës, ka deklaruar se arsyeja pse Lulzim Basha dhe Partia Demokratike sulmon sot shkollat e ndërtuara në Tiranë është se vetë nuk ka ndërtuar asnjë shkollë të re gjatë kohës kur qeveriste Tiranën.

Veliaj shtoi se askush s’mund ta hedhë poshtë poshtë punën e bërë me shkollat e reja në Tiranë, të cilat po ngrihen nga e para dhe me kushte e hapësira të dyfishuara në krahasim me godinat ekzistuese.

“Dikush më pyeti: O Lali, pse ju sulmojnë për shkollat? Pse u janë turrur shkollave? Ua them unë pse: Sepse vetë nuk kanë bërë asnjë shkollë. Sa herë ne bëjmë një shkollë të re, atyre u djeg se njerëzit u thonë: Inat kijini socialistët, por ama hakun mos ia ha, se shkollën e bënë, e rikonstruktuan ‘Aleks Budën’; i hodhën themelet dhe po mbaron shkolla ‘Kennedy’ dhe shkolla ‘Nënë Tereza’ në Kodër Kamzë; i hodhën themelet dhe po mbarojnë shkollat ‘Vaçe Zela’ e ‘Kristo Frashëri’; i hodhën themelet e po mbaron shkolla ‘Andrea Stefani’. Vetëm në këtë komunitet kemi 5 shkolla të reja. Ata s’kanë bërë një shkollë. Si do bëjnë shkolla ata? Një familje i ka të gjithë fëmijët në Angli, familja tjetër i ka të gjithë fëmijët në Holandë. Normal që s’duan t’ia dinë për shkollat e kalamajve tanë. Normal që kur bëhet një shkollë e kanë halë në sy. Jo vetëm nuk bënë një shkollë, por fatin e kanë lidhur me vende të tjera, me pasaporta të tjera, me shkolla jashtë Shqipërisë. Ne e kemi lidhur fatin këtu, me Laprakën, me Tiranën, me Shqipërinë, prandaj ata u sulen shkollave,” u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se Monika Kryemadhi është zgjedhur 30 vjet deputete dhe ende nuk e di që Paskuqani është në një bashki tjetër.