Veliaj me të rinjtë e FRESSh: PS realizon ambiciet e çdo te riu, nuk i përdorim mish për top

1 Nëntor 2020, 15:17

Në një takim me strukturat e FRESSh-it, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se PS nuk do jetë kurrë një parti që do i përdorë njerëzit mish për top.

Drejtuesi politik i PS për këtë qark, tha se ndarja mes PS dhe partive të tjera është e qartë.

“Kur dëgjoj organizime të tipit: batalioni, divizioni - me terma ushtarakë, - them: luftë me kë? Ne jemi të gjithë shqiptarë. Ti mund të kesh luftë për ide, por të thuash që jemi batalioni i Azem Hajdarit, do vishemi si të fortë e do terrorizojmë Tiranën, është turp për emrin që i kanë vënë, turp edhe për faktin se jemi në 2020 dhe muskujt shihen si epërsi. PS nuk do te jetë kurrë një parti që do i çojë njerëzit mish për top. Për çfarë? Për të bllokuar lodrat tek liqeni. U thonë: “hajde bllokojmë Astirin”, “shqyhemi me policinë”, kurse shefat janë duke ngrënë dreka e darka luksoze. Këto parti jane grupime që i përdorin kryesisht të rinjtë si mish për top,” u shpreh Veliaj.

Por, ai siguroi se ndryshe nga partitë e tjera, ku anëtarët e thjeshtë përdoren si mish për top, kurse ata që kapin majat janë fëmijët e ish-drejtorëve, ish-politikanëve dhe njerëzve të drejtësisë, Partia Socialiste nuk ka kete model.

Kryebashkiaku tha se ambiciet e Partisë Socialiste dhe të FRESSH-it dallojnë shumë nga ato të çdo forumi tjetër.