Veliaj: Minorancat e zhurmshme s’mund të pengojnë progresin e qytetit

28 Nëntor 2018, 13:07

TIRANË- Në kohën kur kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe të tjerë personalitete ishin duke nderuar personalitete të tjera në Vlorë, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, zgjodhi sheshin Skënderbej për të ngritur flamurin por për të lëshuar edhe mesazhe politike.

Veliaj tha se edhe në kohën kur u shpall Pavarësia kishte një pakicë që nuk e donte flamurin kuqezi dhe ishte e gatshme të binte dakord me pushtuesin.

Veliaj komentoi edhe projektin e Unazës së Madhe dhe tha se ka shumë vendime të rëndësishme që duhen marrë.

 “Edhe sot do të duhet të marrim vendime të rëndësishme. Vendimi për ta shpallur Shqipërinë të pavarur, më vete dhe për të vendosur që ky vend të progresojë ishte një vendim i rëndësishëm. Sot lipset që të marrim vendime të tjera të rëndësishme, që të jemi një qytet, një shtet modern. Sot lipset që të kemi progres, që minoritetet e zhurmshme t’i respektojmë për fjalën e tyre, por shumica e heshtur të vazhdojë përpara. Nëse do të dëgjonim çdo minorancë të zhurmshme që thotë “dum babën”, nuk do e kishim këtë shesh, nuk do e kishim atë Pazar të Ri, nuk do e kishim atë Bulevard, nuk do e kishim Parkun, Lodrat te Liqeni. Nuk do të kishim shumë prej vendimeve të rëndësishme që merr shumica e heshtur dhe e drejtë e këtij qyteti. Ndaj, miqtë e mi, ne jemi më të vendosur se kurrë për të vazhduar projektin e modernizimit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Tirana do ta ketë një Unazë të Madhe për të fituar pavarësi nga trafiku, nga bllokimi, nga zaptimi”-tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë shtoi se do të vijojnë bonuset për banesat sociale, por theksoi se puna për Tiranën duhet të vazhdojë me shpejtësi.

    No videos found.