Veliaj në Farkë për rindërtimin pas tërmetit: Brenda nëntorit përfundojmë shtëpitë individuale

26 Korrik 2020, 12:44 | Përditesimi i fundit: 2020-07-26 13:25:22

Bashkia e Tiranës thotë se puna për rindërtimin e shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti po ecën me shpejtësi, në mënyrë që të jenë gati në nëntor, e mandej t’i lënë radhën fillimit të punës për pallatet e reja. Nga Farka e Vogël, ku inspektoi hapjen e themeleve për tre shtëpi të reja për familjet e Ilir Qepës, Gëzim Kodrës dhe Indrit Plakut, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se puna do të vazhdojë edhe gjatë verës, për të mbajtur premtimin e dhënë.

“Jam shumë entuziast që kemi hapur tre kantiere të reja; kështu do të vazhdojmë në çdo lagje, nga 3-4, në varësi të shtëpive të dëmtuara. Një pjesë e madhe e qytetarëve do të shkojnë për pushime, kurse bashkia do të sigurohet që deri në fund të gushtit të mbajmë fjalën për shtëpitë e nisura. Fillimisht i dhamë ‘dum’ shtëpive që u prishën nga tërmeti i shtatorit, e pasi zgjidhëm atë hall, do të vazhdojmë me shtëpitë e tjera. Do t’u rrimë te koka përditë, çdo kantieri, derisa të shohim që u bë edhe shtëpia e fundit”, tha Veliaj.Ai nënvizoi se krahas procesit të rindërtimit, Bashkia e Tiranës po përfundon edhe dhënien e dëmshpërblimeve për banesat me dëme më të lehta. “Mezi pres që jo vetëm të mbarojmë shtëpitë, por të mbarojmë edhe kompensimet, sepse ka edhe nga ata që ndoshta nuk u është prishur shtëpia, por kanë pasur dëmtime, një krisje në mur, një suva e rënë, një çati që duhet rregulluar. Për të gjitha këto arsye, është shumë e rëndësishme që edhe me pagesat të ecim shumë shpejt. Porosia e Kryeministrit është që para se të mbushet viti nga tërmeti i nëntorit, të kemi mbaruar të gjitha shtëpitë individuale”, tha Veliaj.