Veliaj në Kashar: Do mbyllim me sukses misionin e ringritjes pas tërmetit, pengesat vijnë nga ata që nuk qullosën asgjë

7 Nëntor 2020, 13:06 | Përditesimi i fundit: 2020-11-08 07:48:58

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot në Kashar, për të inspektuar punimet që po kryhen për rindërtimin e shtëpisë së Dalip Kamberit, banesa e të cilit u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit të shkuar.

“Më vjen mirë që ende pa u mbushur viti, jemi gati me shtëpinë! Mezi pres që festat t’i kalosh shëndoshë me familjen dhe me çfarë të të dojë zemra, në shtëpinë e re. Sigurisht, ka pa fund punë për të bërë, mbaroi e jotja, do fillojë e vëllait dhe do vijojmë me këtë ritëm përditë, derisa të japim çelësin e fundit e të sigurohemi që misioni i ringritjes pas tërmetit të shkojë me sukses deri në fund, siç e ka porositur edhe kryeministri”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se, me gjithë pengesat që po hasen gjatë këtij procesi nga ata që nuk ndërtuan asgjë, puna do të flasë vetë dhe njerëzit do të shohin veprat, jo fjalët.

“Patjetër që ka pengesa nga ata që mundohen ta politizojnë gjithçka, nga ata që kur vetë e kishin në dorë nuk qullosën gjë, megjithatë, u them kolegëve, ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara se puna flet më shumë se çdo përgjigje. Ne i kemi sytë te puna. Në fund, njerëzit do shohin kush është për punë dhe kush është për llafe e për të penguar njerëzit që punojnë. Në Bashkinë e Tiranës kemi rreth 500 fronte pune të hapura dhe besoj fort se pjesën më të madhe të tyre do i mbarojmë para Vitit të Ri”, deklaroi ai.