Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i ftuari i nderit në edicionin e XIX të Konventës së Sipërmarrësve të Ndërtimit të Italisë, e mbajtur në Napoli, si kryetari i qytetit që vitet e fundit ka pësuar një rilindje infrastrukturore dhe ekonomike, duke tërhequr investitorë dhe promovuar vendet e reja të punës.
Gjatë vizitës në Itali, kryebashkiaku Veliaj u prit në një takim edhe nga kryetari i Bashkisë së Napolit, Luigi de Magistris, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe social midis dy qyteteve. Duke theksuar se Tirana dhe Napoli kanë shumë të përbashkëta, Veliaj tha se kryeqyteti shqiptar është sot një qytet që po transformohet çdo ditë. “Napoli është i ngjashëm me Tiranën. Vite më parë ishte një vend me reputacion shumë të ulët, mbushur me plehra dhe një vend që shmangej nga turistët. Pësoi një rilindje dhe një rikuperim të kësaj energjie. Ndaj, rikuperimi i energjisë së Tiranës gjatë kohës së Edi Ramës, por më pas edhe me administratën e re, i ngjan shumë Napolit”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Ai tha se shumë shpejt ky takim i rëndësishëm do të pasohet nga vizita e kreut të Bashkisë së Napolit në Tiranë për të hedhur themelet për çfarë mund të bëjnë dy qytetet në fusha si turizmi, agrikultura, teknologjia e informacionit. “Mezi pres ardhjen e Luigi de Magistris në Tiranë, për të nisur pas 500 vitesh një marrëdhënie të fortë me Napolin. Është detyrë e gjeneratës së re, në këtë vit të Skënderbeut, që këtë raport të veçantë me Napolin ta riafirmojmë dhe mënyra si mund ta bëjmë këtë është duke bërë një pjesë të shkëmbimeve të artifakteve, pjesë të kulturës, letra të Skënderbeut apo të një trashëgimie të 500 viteve më parë. Por sigurisht, duke hedhur themelet për punë të tjera në fusha si turizmi, agrikultura, teknologjia e informacionit ”, tha kryebashkiaku Veliaj.
