Veliaj: Ne ndërtuam një incenerator me 30% më pak kosto për ton, Basha dhe kunati i tij po vajtojnë fitimin e humbur

16 Tetor 2020, 19:14 | Përditesimi: 16 Tetor 2020, 20:58

TIRANË - Kryebashkiaku Erion Veliaj publikoi një propozim të Lulzim Bashës gjatë kohës që ka qenë kryetar bashkie, mbi inceneratorin e Tiranës ku sipas saj ka qenë 30 përqind më i kushtueshëm se ai i sotmi.

Veliaj ishte në një vizitë në zonën e Sharrës nga ku tha se kostoja e djegies së inceneratorit që kishte propozuar Basha ishte 37 euro për ton, ndërkohë që sot ai është 29 euro për ton. Kryebashkiaku thotë se kjo i kushton qytetarëve shqiptarë 3 mln euro në vit të cilat sipas tij do shkonin në xhepin e Bashës.

"Kur kryetar bashkie ishte Basha i dha ok një plani që propozonte një pagesë 37 eruo për ton mbeturinash. Në vend që të paguajmë 37, ne paguajmë 29 euro për ton. E kemi 30 përqind më të ulët se çfarë kishte propozuar Basha. Do paguante 8 euro më shumë. Në vit 3 mln euro. Ai ka hall se kishte planifikuar që t'i merrte ai ato lekë dhe jo t'i kursenin nga qytetarët shqiptarë. Ai vajton më shumë fitimin e humbur të tij se sa kursimet e qytetit. Ky ishte plani i Bashës që ai dhe kunati i tij, në vend që ta bënte 30 përqind më pak, ai e bëri 30 përqind më shumë. PD-ja nuk është më ajo e viteve 90 por është e shantazheve" - tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj solli në vëmendje dhe protestat që PD ka bërë ndër vite kundër qeverisë, por ai thotë se të gjitha këto u shuan. Sipas tij, Basha paguhet për çdo protestë e më pas i bojkoton ato. Për Veliajn, Basha e ka kthyer PD-në në një parti gjobëvënie dhe i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos përdoren më nga ata.

"Pyetja është pse nuk protestohet sot për rrugën e Kombit ku me një fërshëllimë nga kunati i tij u tërhoq. Pse u ndërpre protesta e Astirit, sa kushtonte makina e Bashës. Pse u ndërpre protesta tek Bulevardi i Ri. Sa merr për çdo protestë të stisur. Unë i bëj thirrje demokratëve që nëse partia është vendosur në funksion të një familje, atëherë ata duhen të largohen nga partia. Nuk është partia e Azem Hajdarit. Është një mjet gjobëvënës, shantazhues. Ne i gëzohemi kursimeve që fituam duke shpëtuar Kombinatin dhe Vaqarrin nga ndotja. Do vazhdoni verbërisht tiu tërheqin prej hundësh, të hidheni në protesta dhe të largoheni kur u plotësohen kërkesat e një familje, apo do të bashkoheni me familjen tonë? Nuk do bëjmë kurrë atë që do të bënte familja e Bashës dhe kunatit të tij. Kthehuni sa nuk është vonë në një familje që ju do. Basha është i ikur sot. A ke cipë nga vetja jote në mënyrën se si ka degraduar partinë demokratike dhe e ke kthyer në një mjet gjobëvënie. I them të gjitha kompanive që mos paguani gjobat e tyre" - vijoi Veliaj.

b.ha./Shqiptarja.com