#reportTV #lajmeshqip #lajme Drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, nga Lekaj i Rrogozhinës, i bën thirrje qytetarëve të bashkohen socialistëve. Sipas tij, asnjë demokrat i ndershëm nuk identifikohet më me Partinë Demokratike, ndaj e kanë të hapur derën në familjen socialiste. “Nëse ka demokratë të ndershëm që thonë: ‘Unë nuk identifikohem dot më me Saliun, që vret njerëz, dhe thotë si nuk vrava më shumë, si nuk i futa një snajper Edi Ramës!’ Mua nuk më lidh gjë me kriminelët, nuk më lidh gjë me ata që i kanë bërë të zeza vendit’, - atëherë bujrum, të gjithë demokratët e ndershëm janë të mirëpritur në PS”, u shpreh Veliaj. Sipas tij, Partia Socialiste ka rekordin më të mirë të punëve në krye të vendit. Ai shtoi se PS është absolutisht forcë e parë dhe këtë e tregojnë të gjitha sondazhet, por në 25 Prill lipset një rezultat më i mirë se ai i 2017-ës. “Vërtet jemi forcë e parë, por duhet të dalim mbi 50%, që edhe sikur të gjithë çakejtë dhe hienat e politikës të bëhen bashkë kundër nesh, prapë të jemi të parët. Kjo kërkon bashkimin e të gjithë socialistëve! Por, për këtë na duhen edhe të tjerët, disa shokë tanë që shkuan në drejtime të tjera, të cilët tani duhet t’i rikthejmë në shtëpi”, tha më tej Veliaj. Ai nënvizoi se PD-ja nuk di ku ndodhet sepse sot është e ndarë në 5 copa, ngaqë e kanë kuptuar se nuk ka të ardhme me Sali Berishën.
