Veliaj: Nisim ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë! Të vendosur të çlirojmë çdo centimetër të zaptuar

7 Mars 2020, 16:36

TIRANË - Këtë 7 Mars, në Ditën e Mësuesit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nderoi me certifikatë mirënjohjeje 25 mësues dhe mësuese, të cilët i kanë kushtuar jetën e tyre arsimimit dhe edukimit të fëmijëve dhe të rinjve. 

Veliaj tha se do të nisë zbatimi i lotit të dytë për ndërtimin e 17 shkollave të reja  në Tiranë pas marrjes së konfirmimit nga Ministria e Financave. “Dje morëm një konfirmim nga Ministria e Financave për lotin e dytë të 17 shkollave. Ka filluar loti i parë me shkollat “Kristo Frashëri”, “Vaçe Zela” në “Don Bosko”; sapo filluam shkollën e re aty ku është nënkalimi i Shqiponjës, ndërkohë loti i dytë përfshin kryesisht shkollat në zonën sipër Liceut, zona e Saukut, e Qytetit Studenti, e Freskut. Po përgatitemi për një Tiranë, e cila vërtet ka këtë ritëm rritje, por më në fund ka edhe ritëm investimesh për të përballuar rritjen e jashtëzakonshme”, deklaroi ai, teksa sqaroi se pjesë e rindërtimit do të jenë edhe shkollat e vjetra, si “Sami Frashëri”, që nuk i rezistuan dot tërmetit. “Kjo është arsyeja pse kemi vendosur që ta bëjmë të re shkollën “Sami Frashëri”, siç bëmë të re shkollën “Kosova”, “Servete Maçi” dhe shumë shkolla të tjera në Tiranë, ku të rejat janë dita me natën krahasuar me ndërtesat e vjetra. Edhe shkolla “Sami Frashëri” do të jetë një shkollë fantastike”, sqaroi Veliaj.