Veliaj: Nisim punën për 870 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti, në verë detajojmë projektin e Teatrit

24 Maj 2020, 14:37 | Përditesimi i fundit: 2020-05-24 15:27:54

Erion Veliaj, kryetari i bashkisë Tiranë, ishte sot në Pezë ku i dorëzoi çelësat e shtëpisë familjes Kalleshi, të cilës iu dëmtua gjatë tërmetit të 26 nëntorit. Duke përfituar nga ky çast Veliaj dha lajmin se duke filluar nga java e ardhshme do të nisë punë për ndërtimin e 870 shtëpive të tjera të dëmtuara nga tërmeti:

“Premtuam se festa e Bajramit do të na gjente me shtëpinë e re, dhe falë miqve si Visari, kjo u bë e mundur në kohë rekord. Por, lajmet më të mira do t’i kemi javën tjetër, me ndërtimin e 870 shtëpive të reja, sapo të mbarojmë me të gjitha procedurat për ofertat. Mandej, do të shpërndahemi në të gjithë territorin që të shfrytëzojmë kohën gjatë verës. Një gjë është e sigurt, kur ne shqiptarët punojmë bashkë bëjmë gjëra të mrekullueshme,”-u shpreh Veliaj.

Sakaq, kryebashkiaku ka vënë theksin tek një sërë investimesh të realizuara në kryeqytet gjatë këtyre viteve, të cilat sipas tij i kanë dhënë Tiranës hapësira në funksion të qytetarëve. Duke u ndalur te projektet për lodrat tek Liqeni, Amfiteatri, e Pazari i Ri, Veliaj u shpreh se shumë shpejt do të fillojë puna për detajimin e projektit të Teatrit të ri Kombëtar.

“Sheshin Skënderbej e bëmë bashkë, pas vitesh të tëra debati. Po ashtu edhe Liqenin, që kishte vite të tëra që as nuk riparohej Amfiteatri, as nuk çlirohej pjesa e dytë e zaptuar. Bashkë e bëmë Pazarin e ri, i cili ishte zhytur në lluc e në minj, por doli në dritë! Sot është bërë një nga vendet më të bukura. Bashkë e bëmë Kalanë, pjesën e parë, do vazhdojmë me pjesën e dytë. Pavarësisht se na u hodhën në fyt, ato dolën në dritë dhe po shijohen edhe nga njerëzit, ka jetë. Bashkë bëmë edhe Bulevardin e ri, aty ku do jenë lagjet e reja të Tiranës dhe Tirana e 100 viteve që do të vijnë. Bashkë bëmë stadiumin; kush do e mendonte që stadiumi i Shqipërisë do ishte stadiumi më i mirë në Europën Juglindore që në vitin e parë dhe do të shitej çdo biletë, jo vetëm për ndeshje ndërkombëtare, por edhe për ato lokale. Sigurisht, bashkë do të bëjmë edhe Teatrin. Do të fillojmë shumë shpejt nga puna. Arkitektët do të shfrytëzojnë kohën e pushimeve, që të detajojmë projektin, pastaj kur të rifillojë jeta në shtator, të kemi filluar edhe atë kantier të ri,”- u shpreh ai.