Veliaj për Report Tv: PD të njëjtat fosile, te LSI emra të dosjeve të SPAK!

9 Mars 2021, 16:22

TIRANË- Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht drejtues politik i qarkut, Erion Veliaj, lista e PS-së për kandidatët për deputetë është një 'listë vlerash'.

Nuk ka të njëjtën mendim për listën e PD dhe LSI-së, të cilat i komenton me ironi. Emrat e demokratëve i quan 'fosile', e ndërsa emrat e LSI-së, 'si të inkriminuar' që kanë dosje në SPAK.

I ftuar në Report Tv, ai ka bërë edhe një analizë të plotë të listës së socialistëve, të cilën e ndan në 3 blloqe kryesore.

“Nuk ka asnjë dyshim që e vetmja forcë që sjell ndryshime, që provokon debat, që sjell risi, është Partia Socialiste dhe Edi Rama. Për këtë jemi të gjithë dakord. Nga PD-ja nuk patëm asnjë surprizë, të njëjtat fosile të vjetra. Nga LSI-ja nuk patëm asnjë surprizë, ishte gjithë lista e SPAK-ut, që kandidonte. Siç kishim parashikuar. Ndërkohë që unë besoj që lista e vlerave ishte lista e PS-së. Lista jonë është e ndarë në 3 kategori, lista e Tiranës me 36 mandate, në 3 kategori dhe respekton parimin e atyre që kanë qenë modelet humane pozitive, njerëzore, të këtyre betejave të kohës sonë, të cilat do karakterizojnë këtë mandat, pra gjithë tema e vaksinimit dhe tema e rindërtimit do jenë një pjesë e rëndësishme e këtij mandati”, u shpreh Veliaj.