Veliaj: PS ka ngritur një koalicion përtej krahinës, LSI merr vota të majta dhe i çon në prehrin e Saliut

25 Shkurt 2021, 17:17

Kryebashkiaku Erion Veliaj u ndal sot në Njësinë 4, ku u takua me familje të ardhura ndër vite në këtë zonë, kryesisht nga Skrapari. Veliaj u shpreh se është e turpshme se si ende sot abuzohet me prejardhjen e qytetarëve të Tiranës, duke e kthyer këtë edhe në një argument për të kërkuar votën.

“Më është dukur turp i madh kur dikush, për çështje politike, abuzon me prejardhjen e një komuniteti. Prej kohësh thuhej se kush është nga Skrapari, është me Ilir Metën. Po pse? Unë besoj se kush është nga Skrapari, apo Berati, Gjirokastra, Shkodra, apo tropoja, është me të mirën, me të drejtën, me punën, është me familjen e tij dhe do më të mirën për kombin e tij, është patriot, por nuk është i lidhur me një person sepse nuk ka rëndësi nëse kemi lindur në Shkodër apo Skrapar. E mira e Tiranës është bashkimi i qytetarëve, si një mozaik i bukur i atyre që vijnë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, për të krijuar një komunitet këtu”, u shpreh Veliaj.