Veliaj: 'Sami Frashëri' u shemb me dy prekje, shkolla e re me muze, nostalgjia në zemër

29 Prill 2020, 13:28 | Përditesimi i fundit: 2020-04-29 13:29:54

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj u shpreh se shkolla 'Sami Frashëri' që u shemb nuk i rezistonte një tjetër tërmeti prandaj u prish. Ai tha se shkolla e re do të ketë një muze, por nostalgjia për të gjithë 'samistat' është në zemër.

"Diferenca mes dikujt që rri tërë ditën në Facebook dhe jep mend nga divani, është shumë e thjeshtë, është më e vështirë puna që kemi ne, se jo të gjithë mbeten të kënaqur. Edhe ky hyn te ata vendime që nuk i kënaq të gjithë por kur je në një pozicion ku jemi ne sot, nuk marrim më shumë muaj dhe vite për të bindur këdo. Në momentin që shkolla u shemb, e ndërtuar në 1962, kishte vetëm mure dhe soleta, jo shtylla betoni.

Një tërmet të dytë shkolla nuk do e mbante, pavarësisht se në pamje të parë dukej për bukuri. Me dy-tre prekje u shemb. Nostalgjia ka vendin e vet, patjetër që në shkollën e re do të ketë një muze, ju dhe të gjithë 'samistat' do të jenë të ftuar, por nostalgjinë e kemi në zemër dhe mendje, jo për soleta që mund të na zinin brenda".