Veliaj: Sot zgjidhet mes Rusisë dhe Amerikës, paratë ruse sponsorizojnë protestën

8 Qershor 2019, 17:49

Pas deklaratës së fortë të Zëvendës Ndihmës-Sekretar i Shtetit në SHBA, Matthew Palmer, I cili tha se nëse në protestën e sotme do të ushtrohet dhunë, përgjegjës do të jenë organizatorët e saj, Kryemadhi dhe Basha, dhe se kush tenton të cënojë zgjedhjet nuk do të shkelë më në SHBA, ka reaguar edhe kandidati i koalicionit të majtë, Erion Veliaj.

Nga Shëngjergji, ku vijoi fushatën e tij elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj tha se: “Lajmi i mirë është që Shqipëria nuk është pa miq. Sot ishte një lajm i jashtëzakonshëm deklarata e zyrtarit të lartë të DASH, Palmer, me emër dhe mbiemër, për Monën dhe për Lulin, që nëse shkaktoni dhunë, ta dijë bota mbarë se është faji juaj. Jeni ju përgjegjës, do të shkoni ju para drejtësisë”, tha Veliaj.

Më tej, Veliaj u shpreh se sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një hetim të hapur për financime të pista nga Rusia të Partisë Demokratike.

“Një parti që prodhon çadra të personalizuara për secilin protestues nuk është parti fukarenjsh dhe qartazi ka një financim të padeklaruar, por fatmirësisht paratë ruse që financojnë Partinë Demokratike kanë hapur një hetim në Amerikë dhe ka ardhur koha të hapet edhe një hetim në Shqipëri, se nga vjen kjo para, ku secili e merr të personalizuar çadrën dhe hidhen balonat si dasmorë dhe të gjithë me iphone duke folur për varfrinë, me miliona lek fishekzjarre. Kjo do një përgjigje për një parti hipokrite e cila është gati të shpenzojë çdo luks të mundshëm për protesta të dhunshme”, tha Veliaj.