Veliaj takim në Njësinë 7: Berisha do ta mbyllë me turp, bashkë me dhëndrin morën 1/3 e fushës së ‘Partizanit’

18 Shkurt 2021, 17:46 | Përditesimi: 18 Shkurt 2021, 18:02

Nga Njësia 7, në një takim me banorët, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kujtoi se si ka qenë kjo zonë më parë, ku nëpër rrugë lëviznin kope me qen dhe plehrat bëheshin mullar. Veliaj tha se sot jo vetëm që këto nuk ekzistojnë më, por është rritur vlera e pronës, ndryshe nga koha e Sali Berishës kur u zaptua 1/3 e kësaj njësie te fushat e ish kompleksit Partizani.  Këto fakte dolën nga një investigim i Report Tv mbi historinë e privatizimit të Ish Kompleksit sportiv Partizani, ku faktet e nxjerra janë tronditëse.

“Po nuk bëre dot Tropojën, nuk bën dot Shqipërinë. Dhe e pamë Saliun - një njeri që do ta mbyllë me turp, sepse vetëm dëme i ka bere këtij vendi. Edhe sot. Ka moshën e Enver Hoxhës, 77 vjeç, dhe kërkon të kthehet për herë të tretë. Bëri ’97-ën, i griu të gjithë lekët në piramida, Zvicra jonë tha, bëri ’98-ën, u veshën shumica e grave të këtij vendi me të zeza, me të gjithë ato tragjedi, hodhi në erë me djalin gjithë Gërdecin, mori me dhëndrin 1/3 e Njësisë 7 tek fusha ‘Partizani’”, tha Veliaj.

Duke folur për gjobat e KQZ-së, Veliaj u shpreh se ishin të padrejta dhe kjo u vërtetua nga vendimi i Gjykatës së Apelit.

“Nuk gjobitet një njeri që punon. Ne duhet të shpikim gjoba për dikë që fle gjumë, ne duhet të shpikim gjoba për dikë që ikën nga Parlamenti, ne duhet të shpikim gjoba për dikë që ikën nga Bashkitë, ne duhet të shpikim gjoba për përtacinë, por jo te vëmë gjoba pse punove më shumë seç duhet”, sqaroi ai.

Më tej ai tha se është më se normale që shumë anëtarë të partive të tjera po i bashkohen Partisë Socialiste, sepse kjo e fundit i ka bindur dhe do mbahet mend për përballimin e sfidave të mëdha, si tërmeti apo pandemia, që ndodhin njëherë në 100 vjet.

 

b.ha./Shqiptarja.com