Veliaj takon homologët e Vukoviç dhe Shilegov: Tirana dhe Shkupi kryeqytete si ato të BE-së

26 Tetor 2019, 17:07

Tirana, Podgorica dhe Shkupi hapin një faqe të re bashkëpunimi mes tyre, çka do të përkthehet shumë shpejt në projekte konkrete. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kreun e Komunës së Podgoricës, Ivan Vukoviç dhe kryetarin e Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov, të cilët vizituan Tiranën në kuadër të punimeve të Forumit “17 + 1”, një takim mes kryebashkiakëve të kryeqyteteve të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore.

Veliaj dhe dy homologët e tij nga rajoni diskutuan rreth nismave të përbashkëta në fushën e investimeve, transportit, financave, arsimit, kulturës dhe shkëmbimit të eksperiencave.Teksa përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për punën e bërë, kryebashkiaku i Podgoricës, Ivan Vukoviç e cilësoi Tiranën një qytet të mrekullueshëm. “Jemi shumë të lumtur që jemi në një qytet dhe vend miqësor. E dimë që qeveritë tona kanë një marrëdhënie të shkëlqyer politike dhe ekonomike, jemi aleatë në NATO, dhe kjo është diçka që duam ta shtrijmë edhe në marrëdhëniet midis dy kryeqyteteve. Me punën e shkëlqyer që z. Veliaj po bën në Tiranë dhe që është një burim frymëzimi, po shohim mundësitë për ndarjen e ideve. Jam shumë i gëzuar që ndodhem në këtë qytet të mrekullueshëm, që është në ndryshim të vazhdueshëm. Sa herë që kthehem, shoh diçka krejtësisht të re, të ndryshme, ndaj përgëzime për ekipin e Tiranës”, tha Vukoviç.

Kryebashkiaku Veliaj tha se dy qytetet kanë më shumë gjëra që i bashkojnë sesa i ndajnë, prandaj ka ardhur koha që ky raport special që ekziston mes qeverisë malazeze dhe asaj shqiptare, të jetë edhe në nivel lokal. “Mezi pres që të hapim një faqe të re bashkëpunimi me Podgoricën. Shumë shpejt do të kthehem në Podgoricë, jo vetëm për të kthyer vizitën, por edhe për të parë konkretisht sesi mund të punojnë skuadrat tona. Mes dy qeverive kemi një raport special, ka ardhur koha që edhe në nivelin e qeverisë lokale të pasqyrojmë të njëjtin bashkëpunim. Mezi pres që të përveshim mëngët dhe të fillojmë punën për suksesin tonë të përbashkët”, u shpreh Veliaj.