Veliaj: Teatri i ri do të jetë ikonë, investime në çdo lagje

22 Maj 2020, 18:10

Një tjetër bllok në zonën e Saukut i është nënshtruar rehabilitimit të plotë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po realizohen në këtë projekt, ku përfshihet rikonstruksioni i shtatë rrugëve: “Enver Preza”, “Abaz Fejzo”, “Andon Lufi”-1, “Andon Lufi-2”, “Besim Baxhaku”, “Lame Kreco” dhe “Ethem Gjinushi”, thotë bashkia e Tiranës.

“Ka qenë një punë e jashtëzakonshme, kemi filluar parvjet me Rr. “Hermann Gmeinner”, vazhduam vjet me Rr. “Danish Jukniu” dhe rikthehemi sivjet me bllokun “Enver Preza”, i cili ka filluar me sheshin para xhamisë, ku është bërë një kënd lodrash. Një tjetër xhevahir. Më vjen mirë që xhamia, e cila dikur ishte rrethuar me dhera dhe plehra, në këtë muaj të Ramazanit ka dalë në dritë. Fëmijët luajnë te sheshi përpara, teksa besimtarët do të kryejnë ritet e tyre pas pandemisë”, tha Veliaj.

“Jam i lumtur që një prej blloqeve të vendosura në Tiranë që në fillim të viteve ’90, me një miks familjesh autoktone dhe familjeve që i janë bashkuar më vonë, ka dalë sot në dritë. Besoj për 4-5 javë do të fillojmë me asfaltin dhe do jetë vera e parë pas 30 vitesh ku s’do ketë më pluhur në këtë lagje”, u shpreh kryetari i Bashkisë.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve. “Kërkesat për banorët janë këto: Nëse do i përgjigjemi siç i jemi përgjigjur me kanalizime, ujëra të bardha, ujëra të zeza, me trotuar, me gjelbërim, me asfalt, me ndriçimin LED, ata duhet të na përgjigjen vetëm për një gjë: ta mirëmbajnë! Do vendosim edhe koshat e rinj.

Një qytet i cili është zgjedhur Qyteti Evropian i Rinisë në 2022 dhe që po del në lajme ndërkombëtare për risitë që sjell, qoftë për korsitë e biçikletave, qoftë si qytet miqësor ndaj fëmijëve, për shkollat e reja, ndërtimet pas tërmetit, por për ndërtimet ikonë siç do të jetë Teatri i Ri apo Piramida, duhet të jetë edhe një qytet i pastër. Nuk mund të jetë qytet i pastër vetëm në qendër, ndaj duhet të jetë qytet i pastër edhe në periferi”, theksoi kryebashkiaku.