Veliaj: Zgjidh, o makinën o fëmijën! Shtohen terrenet sportive, për 4 vitet e ardhshme ambjente edhe për më të rriturit

6 Qershor 2019, 18:19

Dy fusha të reja sportive janë shtuar së fundmi në Njësinë 7 në kryeqytet.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj së bashku me deputetin e PS-së, Besnik Baraj dhe kandidatë për Këshillin Bashkiak të Tiranës, përuruan përfundimin e punimeve ditën e sotme, në sheshin e quajtur "Emil Le Grand” .

Kryebashkiaku bëri një thirrje për gjithë të rinjtë duke thënë, se mësimi asnjëherë nuk duhet lënë për lojën.

“Jam shumë i lumtur që hapim këto dy fusha fantastike, fusha komunitare. Një nga porositë që kam është që asnjëherë nuk duhet lënë mësimi për lojën. Unë besoj se kush është i mirë i bën të gjitha, pra edhe del me 10-ta, është edhe i festave, por sigurisht merret edhe me sport e aktivitete të tjera, mëson gjuhë të huaja, kompjuter”-tha Veliaj.

Ndërkaq, bëhet me dije se në Njësinë 7 do të vijojë puna për hapjen e këndeve të tjera sportive.

“Tani që po vinim rrugës identifikuam 2-3 xhepa të vegjël, ku mund të bënim një kënd lojërash, mund të bënim një tjetër street-basket, mund të vendosnim një rrjetë volejbolli”, tha ai. 

Veliaj u shpreh gjithashtu se për 4 vitet e ardhshme fokusi do të jetë krijimi i mjediseve edhe për për më të rriturit.

“Nëse në katër vitet e para fokusin e kishim kryesisht tek këndet e lojërave për fëmijë, çerdhet, kopshtet, tani po shkojmë më shumë drejt sportit e shkollave, sepse besoj që, kur janë adresuar nevojat e më të vegjëlve, mund të lëvizim tek nevojat për më të rriturit.  Kaluan 4 vite dhe tani duam që, siç kemi filluar këtu me dy fusha, siç kemi bërë tek stadiumi “Dinamo”, tek Parku Olimpik, siç kemi bërë në Kodër-Kamzë tek “Isa Boletini”, tek Liqeni, do vazhdojmë në çdo lagje. Mesazhi që japim në brendësi të pallateve, duke i kthyer në terrene sportive, besoj se do gjejë një dakordësi me prindërit sepse në fund, po ta pyesësh një prind dhe t’i thuash: Zgjidh, o makinën o fëmijën, të gjithë do zgjidhnin fëmijën”, theksoi Veliaj.