VLORE-Një aksident detar ka ndodhur në ujërat detare të Vlorës ku një peshkarexhë është përplasur nga një velierë turke. Peshkarexha 'Gjyzel' me kapiten Aurel Fejzo është përplasur rreth 9.6 milje nga veriu i Sazanit 170-180 metra thellësi.
Denoncimi në Report tv ka ardhur nga kapiteni Fejzo i cili ka hasur në rezistencën e palës turke për ta dëmshpërblyer. Sipas tij aksidenti detar ka ndodhur në datën 6 gusht rreth orës 22.00, teksa ai kishte dalë për peshkim dhe ishte me një shpejtësi të ulët. Kapiteni Fejzo deklaron se ai ka pikasur velierën turke dhe ka matur distancën që ishte në 1.5 milje larg 1800 metra larg tij.
‘Veliera turke ecte me motra dhe jo me vela, cka do të thotë se mjeti ishte me shpejtësi. I dhashë sinjalin e shkëmbimit, por nuk bëri asnjë lloj reagimi. Mendoja se tre shtetasit turq kanë qenë në gjumë në momentin e goditjes. Pas përplasjes ata dolën me duart në kokë. Nuk i lejova të largoheshin deri sa erdhi policia kufitare dhe na shoqëruan në mol të Vlorës ku edhe bëmë procedurat e deklarimeve’ tha ai.